Një kosh i veteranit Duejn Uejd i dha fitoren Majemit ndaj Golden Stejtit në basketbollin amerikan. Kampionët pësuan një tjetër humbje
Nuk mund të nënvleftësohet për asnjë moment, por nuk është siç duhet në shina.
Golden Stejti e ka humbur shkëlqimin e sezonit të kaluar, siç u kuptua edhe një herë në sfidën e NBA-së në fushën e Majemit, të humbur në sekondat e fundit, 125-126.
Ishte disfata e 18-të në këtë edicion, diçka jo shumë normale për skuadrën tri herë kampione të 4 viteve të fundit.
Nuk mund të jetë arsye e mjaftueshme mungesa e lojtarit kryesor qendër, Demarkus Kouzinsit, të lënë pushim për të mos e lodhur pas dëmtimit të gjatë.
Lajmet janë që formacioni nuk është aq i bashkuar sa më parë, me Kevin Durantin me mendjen për të ikur.
Kapiteni Klej Tompson bëri gjithçka për të shmangur humbjen.
Duke respektuar shirin, ai shënoi 36 pikë, duke i dhënë mundësi Golden Stejtit të reagonte pasi u ndodh në humbje me diferencë të madhe.
Duranti shtoi 29 pikë dhe Stefën Kërri 25, por pjesa tjetër e lojtarëve bëri pak. Dikur, stoli ishte arma plus e kalifornianëve, por për momentin nuk është i tillë. Majemi fitoi i udhëhequr nga veterani Duejn Uejd.
Ylli 37-vjeçar po shkëlqen në sezonin e tij të fundit në NBA, dhe ndaj kampionëve shënoi 25 pikë e kapi 7 topa në tabela.
Ishte ai që vendosi fatin e duelit në Arenën e Majemit, me një kosh të çuditshëm në sekondat e fundit. Golden Stejti mbetet në krye të Konferencës Perëndimore, por tashmë me pikë të barabarta me Denverin./abcnews.al