Një teknik IT është burgosur për hakmarrje kibernetike ndaj një shkolle dhe firme IT pasi të dy punëdhënësit e pushuan nga puna. Sulmi i Adam Georgeson ndaj Akademisë “Welland Park” në Leicestershire bëri që disa nxënës të humbnin kurset dhe prindërit të humbnin foto të pazëvendësueshme familjare. Gjithashtu ndaloi mësimin në distancë për katër ditë, kur nxënësit mbështeteshin në këtë për shkak të bllokimit të koronavirusit.
Gjykatësi Mark Watson i dha Georgeson, i cili është 29 vjeç, një dënim me 21 muaj. Ai i tha se gjysmën e kësaj do ta vuante në burg përpara se të lirohej me licencë raporton “BBC”. Julie McBrearty, drejtoreshë e Welland Park Academy, tha se besonte se dënimi ishte “i përshtatshëm”.
“Shkollës i kushtoi 15,000 paund për të riparuar dëmet e shkaktuara nga sulmi kibernetik, megjithëse nuk mund t’i vendosni një kosto mësimit të humbur,” tha ajo. Ajo tha se policia kishte qenë “e shkëlqyer” dhe ndihmoi në rikuperimin e të dhënave dhe kufizimin e dëmeve. Gjykata e Kurorës së Leicester-it dëgjoi se Georgeson filloi të punonte në shkollën në Market Harborough si praktikant në dhjetor të vitit 2016.
Megjithatë, ai nuk i tha shkollës se kishte dy dënime për mashtrim dhe u pushua nga puna në shkurt të vitit 2017 pasi e morën vesh. Më vonë ai filloi punë në një firmë IT dhe telekomunikacioni në Rutland të quajtur “Millennium Computer Services”. Ai ishte duke punuar për firmën kur nisi sulmin kibernetik ndaj shkollës më 16 janar 2021, por e bëri këtë duke përdorur kompjuterin e tij të shtëpisë, i’u tha gjykatës.
Georgeson ishte në gjendje të hynte nga distanca në serverët e shkollës dhe të fshinte të dhënat prej tyre, si dhe të fshinte të dhënat nga kompjuterat e prindërve dhe nxënësve që po hynin në sistemin e shkollës nga distanca. Gjykata dëgjoi se kishte 29 viktima të kësaj, duke përfshirë një nënë që humbi 18 muaj punë në universitet dhe një baba që humbi rreth 1000 fotografi personale. Detektivi Anthony Jones, nga ekipi i krimit kibernetik i Policisë së Leicestershire ishte në gjendje ta lidhte sulmin me Georgeson me adresën e tij të Protokollit të Internetit.
Daniel Bishop, i cili ndoqi penalisht rastin tha se Georgeson u arrestua dhe i tha policisë se ai filloi sulmin sepse ishte “i mërzitur” dhe “kurioz”. “Ai tha se gjërat u përshkallëzuan shpejt dhe ai humbi kontrollin mbi atë që po bënte,” tha zoti Bishop. / abcnews.al