Çmimet nuk po rriten vetëm nga ushqimet dhe energjia, ekonomia po i afrohet potencialit të rritjes

schedule07:22 - 11 Shkurt, 2022

schedule 07:22 - 11 Shkurt, 2022

Ekonomia shqiptare po u afrohet ritmeve të rritjes potenciale dhe kjo shpjegon pjesërisht tendencën në rritje të inflacionit.

Raporti i fundit i politikës monetare i Bankës së Shqipërisë, vë në dukje se hendeku negativ i prodhimit, ose distanca mes prodhimit potencial dhe atij real është ngushtuar ndjeshëm në tremujorët e fundit.

Afrimi i rritjes ekonomike me potencialin përkthehet në forcim të presioneve inflacioniste në ekonomi. Analizat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se duke filluar nga tremujori i tretë 2021 ka një tendencë në rritje të inflacionit bazë ose inflacionit që përjashton ata komponentë me luhatshmëri të lartë, siç mund të jenë produktet ushqimore apo energjetike.

Kjo analizë dëshmon se rritja e çmimeve dhe vala inflacioniste nuk është ekskluzivisht e lidhur me goditjet e ofertës dhe shtrenjtimin e mallrave jetike të konsumit, siç janë produktet ushqimore bazë, nafta apo energjia elektrike. Sipas INSTAT, në muajt dhjetor 2021 dhe janar 2022, inflacioni vjetor ka shënuar vlerën 3.7%, niveli më i lartë në një dekadë.

Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të vijojë të rritet edhe në gjysmën e parë të këtij viti. Rritja e inflacionit në muajt e fundit është përkthyer edhe në një rritje të pritjeve inflacioniste sidomos te konsumatorët, ndërsa, sipas Bankës së Shqipërisë, te bizneset pritjet inflacioniste janë më të kufizuara.

Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të fillojë të normalizohet në gjysmën e dytë të këtij viti dhe të zbresë pranë objektivit të saj prej 3% vitin e ardhshëm. Megjithatë, në projeksionet e saj Banka e Shqipërisë thekson se rreziqet inflacioniste ngelen në kahun rritës dhe faktori kryesor është një vijim i rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare, edhe përtej atyre që janë pritshmëritë aktuale.

Siç u shpreh javën e kaluar edhe Guvernatori, Gent Sejko, raporti i politikës monetare sugjeron se, me shumë të ngjarë, normat referuese të interesit të Bankës së Shqipërisë do të fillojnë të rriten këtë vit, për t’ju përgjigjur rritjes së inflacionit, që ka rezultuar edhe më e lartë se pritshmëritë e mëparshme të bankës qendrore.

Ndërkohë që rreziqet e lidhura me pandeminë po zbehen, tashmë është inflacioni rreziku kryesor për qëndrueshmërinë e rimëkëmbjes së ekonomisë. Banka e Shqipërisë pret që këtë vit, rritja të jetë ndjeshëm më e ulët se nivelet e vitit 2021, që u ndikuan shumë nga baza jo e zakonshme krahasuese që shkaktoi pandemia në vitin 2020.

Sidoqoftë, banka qendrore i qëndron pritshmërive optimiste për një rritje pozitive në horizontin kohor afatmesëm. Analiza e Bankës së Shqipërisë nënvizon se tërmeti dhe pandemia nuk kanë shkaktuar dëme të qëndrueshme në potencialet e rritjes së ekonomisë shqiptare dhe se gjatë 2-3 viteve të ardhshme, normat e rritjes do të kthehen pranë niveleve që ishin në periudhën para këtyre ngjarjeve./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!