Tifozi i Leicester dënohet nga policia dhe nga klubi pasi goditi lojtarët

schedule11:13 - 7 Shkurt, 2022

schedule 11:13 - 7 Shkurt, 2022

Tifozi i Leicester City-t, i cili doli në fushë për të sulmuar lojtarët e Nottingham Forest-it gjatë ndeshjes së tyre në raundin e katërt të FA Cup të dielën, është arrestuar dhe është ndaluar përgjithmonë të marrë pjesë në ndonjë ndeshje të ‘Foxes’.

Forest sapo kishte kaluar 3-0 në epërsi në minutën e 32-të me anë të Joe Worrall, kur tifozi mysafir vendosi të hynte në fushë përpara se të gjuante disa grushta në grupin e lojtarëve.

Tifozi i Leicester-it më pas u ndalua nga stjuardët përpara se t’i dorëzohej policisë.

“Ne kemi arrestuar një burrë në lidhje me një incident që ndodhi sot [e diel, 6 shkurt] gjatë pjesës së parë të ndeshjes së Kupës FA të Nottingham Forest dhe Leicester City”, tha kryeinspektori i policisë së Nottingham, Neil Williams.

Leicester nxitoi të lëshojë një deklaratë për këtë çështje, pasi një zëdhënës dënoi aktin dhe vlerësoi stjuardët në City Ground.

“Klubi është i tmerruar nga një sjellje e tillë dhe i kërkon falje Nottingham Forest-it dhe lojtarëve të tij, siguria e të cilëve u rrezikua”, tha zëdhënësi i Leicester.

“Ne përshëndesim veprimin e shpejtë të ndërmarrë nga stjuardët e City Ground në kapjen e individit të përfshirë, i cili do t’i nënshtrohet një ndalimi të përjetshëm nga të gjitha ndeshjet e Leicester City në shtëpi dhe jashtë.

“Ne do të ofrojmë çdo mbështetje për autoritetet përkatëse në ndjekjen e veprimeve të mëtejshme të duhura.”/ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!