REL: Fshehja e thelbit të kontestit rrënon bisedimet Shkup-Sofje

schedule18:59 - 5 Shkurt, 2022

schedule 18:59 - 5 Shkurt, 2022

Bisedimet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për zgjidhjen e kontestit lidhur me identitetin, gjuhën dhe historinë maqedonase, mund të dështojnë edhe sikur të arrihet përparim në çështjet tjera mes dy vendeve sa i përket ekonomisë. Kështu ka deklaruar Dragi Gjeorgiev, bashkëkryesues i Komisionit maqedonas të historisë në bisedimet me palën bullgare.

Dallimet për historinë dhe çështjet e identitetit po diskutohen në kuadër të njërit nga pesë grupet që dy qeveritë kanë formuar me synimin që brenda gjashtë muajve të ketë rezultate, që mund të çojnë në heqjen e vetos bullgare për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Sofja kërkon nga Shkupi që t’i njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe historinë maqedonase.

Pikërisht kjo këmbëngulje e palës bullgare, sipas historianit Dragi Gjeorgjiev, mund të dështojë gjithë procesin e bisedimeve.

Ai thotë se deri tani thuajse nuk është arritur asgjë përveç marrëveshjes për kremtimin e përbashkët të disa personaliteteve historike, për të cilët të dyja vendet pretendojnë prejardhjen e tyre etnike, siç është edhe Goce Dellçevi.

“Por, kjo nuk nënkupton zgjidhjen e kontestit historik mes dy vendeve, apo historianëve bullgarë dhe maqedonas. Debati për identitetin e Goce Dellçevit do të vazhdojë. Në marrëveshjen për fqinjësi të mirë që kanë arritur dy vendet flitet edhe për historinë e përbashkët, por pala bullgare insiston se këtu bëhet fjalë për historinë e një popullit, pra të bullgarëve, edhe pse marrëveshje kështu nuk e definon. Ata popullin maqedonas e llogarisin që nga vitit 1945, para kësaj periudhe flasin për një popull të vetëm, pra popullin bullgar. Kjo absolutisht është e pavërtetë dhe e papranueshme”, thotë Gjeorgiev, bashkëkryesues i Komisionit maqedonas të historisë në bisedimet me palën bullgare.

Ai thotë se gjërat janë acaruar pasi dy vendet kishin miratuar rezoluta në parlamentet e tyre mbi ato që njihen si “vijat e kuqe”. Kjo, thotë Gjeorgjiev, ka bërë që komisioni të ngecin në punën e tij pasi rezolutat thonë se nuk do të pranojnë asgjë që rrënon pozicionet e tyre, të palës bullgare që konteston gjuhën dhe identitetin maqedonas dhe të palës maqedonase që refuzon çdo debat mbi këto çështje.

“Kjo ndihet pasi që atëherë puna e komisionit nis të ngecë, madje edhe të shënojë kthim pasi pozicionet e forta të dy vendeve pamundësuan që të lëvizim para. Por, ne duhet të vazhdojmë të bisedojmë pasi qëllimi ynë është fillimi bisedimeve të anëtarësimit evropian. S’kemi zgjidhje tjetër, por dialogu duhet të jetë i barabartë, përndryshe vështirë të arrijmë ndonjë rezultat”, thotë Gjeorgjiev.

Përveç historianëve, dallime në qëndrime ka pasur edhe me presidentët e të dyja vendeve. Ai bullgar Rumen Radev ka kritikuar presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski, se ka pritur një delegacion të maqedonasve të Bullgarisë, e cila nga Sofja nuk njihet si pakicë kombëtare.

Mersel Bilalli, njohës i çështjeve ndërkombëtare, thotë se kreu i shtetit duhet të mbajë llogari që me veprimet e tij mos t’i acarojë raportet, sado që mund të ketë të drejtë në veprimin e tij.

“Në këto raste duhet patur kujdes pasi nuk janë momente, të cilat mund të krijojnë më pozicion apo favor personal, pra e prishin pozicionin e bisedimeve ndërshtetërore. Pra, gjithashtu është shumë e ndjeshme sikur ecet përgjatë litarit të cirkut, i cili luhatet. Vlerësoj se presidenti duhej të kishte kujdes pasi presidenti i shtetit tjetër (bullgar) me gjasë luan një agjendë tjetër dhe vetëm falë presionit ai është i detyruar gjoja të jetë i balancuar, por nuk jam i sigurt se ai do një zgjidhje përfundimtare për dallim nga kryeministri bullgar”, thotë Bilalli.

Sa i përket qëndrimeve të forta të palës bullgare, ai thotë se ato nuk qëndrojnë pasi çdo kush ka të drejtën e vetëdeklarimit.

“Shumë segmente janë të koklavitura dhe është e vështirë të gjendet një zgjidhje e shpejtë. Por, në thelb nuk ka shumë logjikë në kërkesat bullgare, sepse sipas kësaj logjike, edhe serbët do të kishin të drejtë që kroatëve, boshnjakëve apo malazezëve t’ia emërtojnë gjuhën si duan, e kështu me radhë”, thotë Mersel Bilalli, njohës i çështjeve ndërkombëtare.

Maqedonia e Veriut, në samitin e Bashkimit Evropian në nëntor të vitit 2020, nuk e mori datën për nisjen e bisedimeve me bllokun evropian, pasi këtë e bllokoi Bullgaria për shkak të kontesteve të pazgjidhura./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!