Pence: Ish-presidenti Trump e ka gabim, nuk mund t’i përmbysja zgjedhjet

schedule23:20 - 4 Shkurt, 2022

schedule 23:20 - 4 Shkurt, 2022

Ish-nënpresidenti amerikan Mike Pence tha të premten se ish-presidenti Donald Trump e ka “gabim” kur thotë se zoti Pence mund ta kishte përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, duke hedhur kështu poshtë drejtpërdrejt pretendimet e rreme të zotit Trump.

Në një fjalim në Florida para Shoqërisë Federaliste, një organizatë juristësh konservatorë, zoti Pence reagoi ndaj pretendimeve të intensifikuara të zotit Trump këtë javë se zoti Pence mund të kishte bërë diçka për të penguar marrjen e detyrës nga presidenti aktual Joe Biden.

“Presidenti Trump e ka gabim,” tha zoti Pence. “Nuk kisha të drejtën të përmbysja zgjedhjet.”

Ish-nënpresidenti i ka mbrojtur edhe më parë veprimet e tij më 6 janar dhe ka thënë se ai dhe zoti Trump ka të ngjarë të mos bien kurrë dakord lidhur me ngjarjet e asaj ditë, por komentet e së premtes shënojnë kundërshtimin e tij më të fortë ndaj zotit Trump deri më sot.

Komentet e tij vijnë ndërsa zoti Pence po përgatit terrenin për një kandidim të mundshëm për president në vitin 2024, gjë që mund ta vërë atë në në garë të drejtpërdrejtë me zotin Trump, i cili po ashtu ka lënë të kuptohet se mund të kandidojë.

Në një deklaratë të martën, ish-presidenti Trump tha se komisioni mbi sulmin vdekjeprurës të 6 janarit në Kapitol duhet të hetojë se “përse Mike Pence nuk i ktheu votat për riçertifikim ose miratim”.

Ndërsa të dielën, ai e sulmoi zotin Pence, duke deklaruar në mënyrë të rreme se “ai mund t’i kishte përmbysur zgjedhjet!”

Nënpresidentët luajnë vetëm një rol ceremonial në numërimin e votave të Kolegjit Zgjedhor dhe çdo përpjekje për të ndërhyrë në numërim do të kishte rënë ndesh me precedentët dhe normat demokratike. /VOA/