Lajmi për dënimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri ka bërë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare.
“Ish-ministri shqiptar dënohet për përfshirje në trafikimin e drogës” është ky titulli me të cilin agjencia e lajmeve Associated Press ka nisur artikullin për dënimin e Tahirit.
Kurse, fqinjët tanë në Greqi raportojnë se “ish-ministri dhe bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit Rama është burgosur për shpërdorim të detyrës. AP raporton se një gjykatë në Tiranë dënoi me burg ish-ministrin e Brendshëm për shpërdorim detyre dhe lidhje me një rrjet kriminal të trafikut të drogës.
Saimir Tahiri u dënua me tre vjet e katër muaj burg. Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsion dhe Krim të Organizuar, Engert Pëllumbi, tha se Tahiri kishte përfituar “shërbime dhe përfitime të padrejta dhe në të njëjtën kohë, me shpërdorimin e postit, ai ka abuzuar me interesat ligjore”.
Tahiri pas dhënies së dënimit tha se është i pafajshëm….Ai nuk ka reaguar ndaj gazetarëve në sallën e gjyqit, por vetëm ka nxituar të bëjë një telefonatë. Avokati i Tahirit, Maksim Haxhiaj, tha se do ta apelojnë vendimin në Gjykatën e Lartë, duke e cilësuar atë si një “marrëzi juridike”.
Lufta kundër korrupsionit ka qenë një problem madhor në Shqipërinë postkomuniste, shkruan AP, duke ndikuar fuqishëm në zhvillimin demokratik, ekonomik dhe social të vendit.
Kurse, mediat greke sjellin në vëmendje se Tahiri ishte dikur një aleat shumë i afërt i kryeministrit Edi Rama.
“Megjithatë, çështja e tij nuk e preku popullaritetin e Ramës, i cili siguroi një mandat të tretë si kryeministër i vendit në prill.” /abcnews.al/