Burg për Tahirin, Basha: Akuzat e PD të vërteta, bashkë me Kokën vetëm dy nga hallkat e zinxhirit të krimit

schedule17:55 - 4 Shkurt, 2022

schedule 17:55 - 4 Shkurt, 2022

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pasi ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u dënua me 5 vite burg. Vendimi u mor sot nga Apeli i GJKKO, të cilët vendosën 5 vite heqje lirie për ish-ministrin e Brendshëm, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuaj 3.4 vite burg.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, kryedemokrati shprehet se vendimi i sotëm për ish-ministrin dëshmon se akuzat e bëra nga PD për përfshirjen e tij në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike ishin të vërteta.

Për kreun e opozitës, në krye “të bandës”  është kryeministri Edi Rama, të cilin e cilëson si njeriu që mbrojti dhe përdori çdo mekanizëm për ta zvarritur dënimin e Tahirit.

LULZIM BASHA NË FACEBOOK

“Vendimi i sotëm për Saimir Tahirin dëshmon sa të vërteta kanë qenë akuzat e PD për përfshirjen e ish-Ministrit të Brendshëm në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Faktet e përfshirjes së tij në një grup të strukturar kriminal janë dëshmi e qartë se në krye të bandës është Edi Rama, njeriu që e emëroi, mbrojti dhe përdori çdo mekanizëm për të zvarritur dënimin e vartësit të tij. Saimir Tahiri dhe Lefter Koka janë vetëm dy nga hallkat e zinxhirit të krimit dhe korrupsionit që ka për autor dhe zbatues Edi Ramën!”

Ish-ministri i Brendshëm do të shkojë tashmë në qelitë e paraburgimit dhe më pas do vuaj dënimin me burg. Gjatë leximit të vendimit gjyqtari tha se provat e ofruara nga prokuroria konfirmojnë lidhjen e tij me grupin e Habilajve, i cili u mor me transportin e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali. /abcnews.al/