Dhuna ndaj fotografit të Flamurtarit, FSHF dënon ngjarjen

schedule13:16 - 24 Shkurt, 2019

schedule 13:16 - 24 Shkurt, 2019

Federata Shqiptare e Futbollit bën kallëzim penal pas dhunës së disa tifozëve në ndeshjen Partizani-Flamurtari. Skuadra kryeqytetase rrezikon një dënim të rëndë, ndonëse precedentët kanë pasur ndëshkime të buta.

Mbetet në dorë të organeve të shtetit. Federata Shqiptare e Futbollit shpreson që policia dhe gjykata të bëjnë drejtësi pas dhunës në ndeshjen mes Partizanit e Flamurtarit, ndonëse nuk dihet nëse Komisioni i Disiplinës do të jetë në gjendje të vendosë siç duhet. Institucioni i drejtuar nga presidenti Duka doli me deklaratë ku, jo vetëm dënonte dhunën e disa tifozëve të Partizanit ndaj një zyrtari të Flamurtarit, por edhe njoftonte se bashkë me fotografin vlonjat kishte bërë kallëzim penal për ngjarjen.

Federata kërkon që të vendosen përpara ligjit ata persona që identifikohen nga pamjet filmike për dhunën e ushtruar në “Selman Stërmasi”. Ishte minuta e 40-të në stadiumin kryeqytetas, kur disa tifozë të kuq kapërcyen rrethimin e brendshëm dhe sulmuan fotografin. Në vijim, arbitri Myrtja përjashtoi me karton të kuq sulmuesin e Flamurtarit, Andi Ribaj, që sapo kishte shënuar golin e barazimit të përkohshëm.

Më pas, i këshilluar nga zyrtarët e Federatës, gjyqtari e hoqi të kuqin, por Ribaj nuk mundej të kthehej në fushë dhe vlonjatët luajtën me 10 lojtarë, duke dalë të humbur me shifrat 1-3. Incidenti do të shqyrtohet patjetër edhe nga Komisioni i Disiplinës në Federatë, i cili pritet të mblidhet ditën e martë, por nuk dihet nëse do të zbatohet ajo që shkruhet në Kodin e Disiplinës Sportive.

Neni 65 i saj, parashikon në pikën 3b se Partizani rrezikon humbjen e ndeshjes 0-3 në tavolinë dhe zhvillimin e të paktën 4 ndeshjeve pa spektatorë. Gjithsesi, Disiplina nuk e respektoi rregulloren në rastet e Kukësit apo Tiranës, ku spikati sidomos goditja e arbitrit në ndeshjen Kukësi-Laçi, duke dhënë dënim vetëm me gjobë. Tifozët e Partizanit, ndërkaq, kanë bërë dy reagime pas asaj që ndodhi të shtunën.

Në faqen zyrtare, Ultras Guerrilsat deklaruan se incidenti nuk pasqyron sjelljen e përgjithshme të tyre, ndërsa shtuan se ngjarja ndodhi për shkak provokimi, por gjithsesi nuk mund të justifikohet. Në postimin tjetër, Ultras Guerrilsat deklarojnë se janë gati të paguajnë gjobën që mund të marrë lojtari i Flamurtarit, Ribaj, i cili sipas tyre u soll në mënyrë korrekte. Sidoqoftë, ekziston mundësia që tifozët e Partizanit të përjashtohen nga stadiumi për disa ndeshje të ardhshme të skuadrës së tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!