Ministria e Arsimi ka mbyllur kopshtin privat “Flatrat e Dijes” në Fier ku ndërroi jetë një fëmijë 3-vjeçar disa ditë më parë.
Ministria e Arsimit dhe Sportit, nisur nga rasti tragjik , kërkoi nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar (DPAP) ngritjen e një grupi pune për inspektimin e institucionit arsimor parashkollor, kopshti “Flatrat e Dijes”. Sipas relacionit të grupit të punës janë gjetur këto shkelje: 1- Nuk ka drejtues Didaktik. 2.Ka regjistruar fëmijë të moshës nën 3 vjeç, në kundërshtim me ligjin. 3- Personeli mësimdhënës nuk plotëson kriteret e parashikuara në ligjin 69/2012 neni 57. 4- Nuk plotëson standardet infrastrukturore. 5- Ka regjistruar dhe pranuar fëmijë mbi numrin e lejuar. 6- Nuk ka përmbushur detyrimet në lidhje me dokumentacionin e nevojshëm, duke përfshirë edhe kontratat me prindërit. Nisur nga këto shkelje, MAS mori vendimin për mbylljen e veprimtarisë së këtij kopshti dhe revokimin e licencës nga QKB.
Fëmija është mbytur në momentin kur është zgjatur për të marrë një veshje në varësen e rrobave, në të cilën ka ngecur kapuçi i xhupit. Sipas policisë, fëmija është rrëzuar në këtë moment duke u mbytur prej xhupit. Ai u gjet i shtrirë nga edukatoret në ambientet e kopshtit duke e dërguar urgjentisht në spital, por ka qenë e pamundur për mjekët pasi fëmija ka mbërritur pajetë aty. Fëmijës i janë konstatuar shenja në fyt dhe në momentin që ai është dërguar nga edukatoret në spital nuk reagonte. Në një prononcim për abcnews.al daja i vogëlushit shpjegoi se si çdo mëngjes fëmija është dërguar në kopsht dhe në mesditë i kanë marrë në telefon dhe u kanë thënë se fëmija nuk është mirë. Ndërkohë sapo ka mbërritur në urgjencën e spitalit ka folur me mjekun që kishte ndjekur rasti dhe ai i kishte pohuar se fëmija kishte shkuar pa shenja jete dhe me një shenjë në fyt. /abcnews.al