Profesori i Psikologjisë, Hajzer Ahmeti mban të ruajtura rreth 800 ese të nxënësve të tij. Bëhet fjalë për rrëfime nga përjetimet e luftës në Kosovë, të cilat u shkruajtën 22 vjet më parë. Ai i ruan këto ese në shtëpinë e tij në Skënderaj me shpresën se do t’i lexojnë të gjithë.
Ai dha një intervistë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku lexoi një pjesë nga rrëfimet rrëqethëse për gazetarët në studio. 72-vjeçari, i cili punoi për 40 vite në arsim, tregoi mes të tjerash se ka për synim që t’i përpilojë këto rrëfime në një libër të vetëm.
“Me një përkujdesje të shtuar i kam ruajtur. Për mua janë shumë të vlefshme përjetimet e nxënësve. Këto punime i ngjajnë ditarit të Ana Frankut. I kam dhe i ruaj se nëse lexohen tani këto rrëfime, ta nxjerrin lotin, të dridhin trupin dhe të rrëqethin shpirtin.”, tha profesori.
/abcnews.al


