Nga Xhensila Kodra
Gati një muaj nga atentati i ndodhur në “Don Bosko” me 1 të vrarë e 4 të plagosur, dosja i rikthehet policisë për plotësim dhe gjetje të provave të reja.
Burime nga blutë e kryeqytetit bëjnë me dije për ABC se, prokuroria i ka kërkuar efektivëve të intensifikojnë veprimet e tyre në terren dhe për të mbledhur prova të mjaftueshme që do të ndihmojnë në identifikimin dhe gjetjen e autorëve të vrasjes së Erion Çelës, si dhe plagosjes së vëllait të tij, Blerimit, dajës së viktimës, Edmond Crroj, mikut të tyre Arben Dani, si dhe klientit që ndodhej në lokal, Azbi Selimaj.
LEXO EDHE: Atentati në Don Bosko, merren në pyetje daja dhe vëllai i viktimës, dyshimet për makinën e autorëve
Deri në këtë fazë të hetimeve, mësohet se nuk ishin siguruar prova të vlefshme për hetimin. Kjo, pasi edhe në kamerat e sigurisë që kanë fiksuar momentin e vrasjes, nuk shquhen qartë se kush janë personat që ndodhen brenda kësaj makine tip Benz, të përdorur nga atentatorët.
Lëvizjet e fundit të këtij mjeti janë fiksuar deri në Fushë-Krujë. Pavarësisht kontrolleve në varrezat e makinave, ku dyshohet se mjeti është çmontuar, nuk është gjetur asnjë gjurmë e saj.
Si pistë kryesore, hetuesit kanë atë të përplasjeve mes grupeve për prishjen e pazareve të drogës jashtë territorit shqiptar./abcnews.al