Deklaratat e forta të politikanëve në Kosovë mund të shkaktojnë incidente në vend. Është ky paralajmërimi i komandantit të KFOR në Kosovë, i cili shtoi se gjithësesi nuk ka ndonjë të dhënë se incidente të tilla mund të ndodhin.
Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneral-major Lorenzo D’Addario, u bëri apel politikanëve që të shmangin retorikën nxitëse duke paralajmëruar se edhe deklarata më e vogël mund të shkaktojë incidente. Në një intervistë për median serbe gjenerali D’Addario gjithësesi shtoi se aktualisht nuk ka të dhëna se mund të ndodhin incidente, por deklaratat e të dyja palëve mbeten shqetësuese.
I pyetur për deklaratat e kryetarit të Mitrovicës jugore, Bahtiri, i cili u shpreh ditë më parë se qyteti do të bashkohej dhe me dhunë, dhe paralajmërimin e Haradinaj se nëse dikush provon ndarjen ose korrigjimin e kufijve të Kosovës, do të ketë reagim të armatosur, komandanti i KFOR-it, tha se misioni i KFOR-it është për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë.
Ai rikujtoi se KFOR shpesh kryen stërvitje në tërë territorin e Kosovës, duke shtuar se dëshiron të jetë gjithmonë i gatshëm për t’iu përgjigjur çfarëdo sfide. /abcnews.al