Merita Shkupi: Vetëm Berisha mund ta bashkojë të djathtën

schedule22:20 - 22 Shkurt, 2019

schedule 22:20 - 22 Shkurt, 2019

Merita Shkupi, një nga zonjat e para që kanë qenë e përfshirë në lëvizjen antikomuniste në Shqipëri në fund të viteve 1990, dhe sekretare e parë e zgjedhur e PD ka qenë e ftuara e Mustafa Nanos në Provokacijan e kësaj të premteje.

Ajo ka rrëfyer emocionet e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha në 20 shkurt të viti 1991, ku ka qenë e pranishme.

“Në momentin e rrëzimit të bustit isha aty, nuk mendoja që do hiqej busti me ca litarë dhe isha para bustit mes policisë dhe bustit ishte dhe një vajzë tjetër ishim dy, të tjerët ishin djem dhe një kameraman italian.

Të gjithë veprimet ishin si të dyzuara, vinin urdhra, turreshin, bënin sikur gjuanin, nuk di sikur nuk më ka rënë të fikët se nuk isha e bindur se do binte dhe pasi ra të gjithë ngrinë. Unë kam marrë një kapele polici dhe jam fotografuar me atë kapele dhe u nisëm për te Qyteti Studenti, mu te Qemal Stafa është ndarë koka nga trupi.

Kur u ktheva në PD më tha pse ishe ti atje, unë u thashë jam Merita Shkupi dhe më takon të isha atje pastaj jam e PD. Disa lloj urdhrash vinin nga diku. Berisha ishte më i kujdesshëm për të mbajtur turmat dhe për të arritur atë detyrë që i kishte vënë vetes”.

E ardhur nga një familje të persekutuarish, Shkupi thekson se PD i ka hedhur si lecka të persekutuarit.

“Ish të persektuarit janë hedhur si lecka dhe kjo PD u ngrit për këta njerëz, kështu të paktën dukej dhe kur erdhi fundi është parë që këta mezi morën ca lekë të vogla. Si mund të shpërblehet stresi i të dënuarve në burgje për kaq vite”.

Natyra e saj prej aktivisteje dhe të ndershme, që ngrinte zërin për gjërat që nuk shkonin, bëri që të largohej nga PD me dëshirën e saj,

“Pasi isha grindavece në PD, se nuk isha politikane, por një gavrosh, një aktiviste nuk kuptoja shumë se ç’bëhej dhe grindesha dhe njerëzit e ndershëm janë të mërzitshëm dhe e pashë veten që krijoja ftohtësi dhe jam larguar vetë nga PD nuk më ka heq PD. Dhe sa herë më kanë thënë nuk kam vajt se kam thënë çfarë ka PD për të djathtën”.

Ajo i drejtohet Berishës tek i cili ka besim të plotë që mund të bashkojë të djathtën.

“Vetëm Berisha mund ta krijojë të djathtën se ai krijon besim dhe ka fuqi. Unë i drejtohem Berishës për të djathtën. Di që ai mund ta bashkojë të djathtën që të jetë pjesë e PD. E ka pasur mundësinë dhe nuk e ka bërë se është trembur nga ekstremizmi, kurse unë them që duan vetëm të gjejnë përfaqësimin në qeveri e parlament”. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!