Josa: Lushkja tregoi cilësitë, ndeshjet direkte vendimtare. Objektiv? Europa

schedule16:12 - 31 Janar, 2022

schedule 16:12 - 31 Janar, 2022

Regi Lushkja i dha fitoren Laçit në një ndeshje delikate kundër Partizanit. Fantazisti i kurbinasve luajti edhe ndeshjen e fundit në Laç, teksa do largohet kundër Moldavisë për të luajtur me Sheriff Tiraspol.

Kjo fitore e ka pozicionuar skuadrën e Mirel Josës të vetme në vendin e dytë, që tanimë është edhe skuadra anti-Tirana.

Pas ndeshjes Josa është shprehur shumë i lumtur për fitoren, ndërsa nuk kurseu edhe elozhet për kapitenin e skuadrës, ndërsa sipas tij Lushkja thjeshtë tregoi cilësitë e tij, siç ka bërë gjithmonë në ndeshje të rëndësishme.

“Skuadra nuk e fitoi ndeshjen falë kualiteteve, por loja shkoi ashtu edhe për shkak të kundërshtarit, që u shfaq kompakt, modest dhe i rrezikshëm. Megjithatë komplimentoj skuadrën time, që tregoi durim e këmbëngulje për të shkuar te goli. U treguam më të vendosur në topin e parë dhe morëm fitoren, ndonëse për mënyrën si shkoi ndeshja, mund të kishim dalë edhe barazim.

Vllaznia e Kukësi janë aty pranë dhe Tiranën e kemi përpara. Duhet të shkojmë me moralin e duhur në ndeshjet direkte. Kemi humbur dy ndeshje ndaj Vllaznisë, që ka më shumë ekuilibër në fushë, por me këtë do të merremi nga nesër e mbrapa.

Dua t’i uroj më të mirën Lushkjas, që tregoi karakter, pasi e dinte që në dhjetor që ishte shitur, por vazhdoi të tregojë cilësitë më të mira në fushë. Natyrisht do ta doja në ekip, por vendimi për shitjen e tij është në të mirë të klubit dhe të vetë lojtarit mbi të gjitha, ndaj i uroj suksese. Për zëvendësimin do të shohim brenda grupit, ndonëse do të jetë e vështirë.

Nuk dua të flas shumë për pretendimet tona, por them që do të bëjmë maksimumin në çdo ndeshje dhe do të respektojmë kampionatin deri në fund. Objektivi ynë momental është kapja e Europës, por nëse do të vazhdojmë kështu, pse të mos shohim për më lart. Gjithsesi çdo gjë varet edhe nga kundërshtarët, pasi ka përfunduar vetëm gjysma e kampionatit”, theksoi Josa. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!