Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka reaguar në rrjetin social Facebook një ditë pas protestës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, të cilës i priu dje.
Molliqaj ka kërkuar të dëgjohet vullneti i qytetarëve dhe të kthehet prapa propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për ndryshimin e tarifave. Ai ka paralajmëruar se protestat dhe aksionet do të vazhdojnë derisa të plotësohen këto kërkesa.
Ai nuk ka folur për shuplakën që i dha njërit prej policëve që po qëndronin në hyrje të godinës së qeverisë.
Postimi i tij i plotë:
Të dëgjohet vullneti i qytetarëve, të kthehet mbrapsht propozimi për shtrenjtim të rrymës
Pabarazia socio-ekonomike në Kosovë është shumë e thellë. Çmimet, përfshirë edhe ato të produkteve bazike ushqimore e higjienike janë rritur shumë tashmë. Familjet që i përkasin shtresës së varfër dhe asaj të ulët me vështirësi ia dalin në fund të muajit.
Në këtë situatë, propozimi për shtrenjtim të energjisë elektrike është absolutisht i papranueshëm dhe në kundërshtim të plotë me nevojat e qytetarëve të Kosovës.
Ky propozim, i cili është në diskutim publik deri nesër, u kundërshtua fuqishëm nga qytetarët e vendit. Prandaj, kërkojmë nga ZRRE që nesër të mos e aprovojë propozimin në fjalë e ta dëgjojë zërin e qytetarëve. Në të kundërtën, aksionet e protestat do të vazhdojnë deri sa ky vendim të kthehet prapa.
/abcnews.al

