Stuhia vdekjeprurëse që goditi vendet e Afrikës Jugore këtë javë ka treguar realitetin e krizës klimatike, tha një zyrtar i OKB-së. Ka shkuar në 86 numri i të vdekurve nga shkatërrimet e shkaktuara nga stuhia Ana. Punonjësit e shpëtimit po përpiqen të arrijnë dhjetëra mijëra njerëz, të cilët janë bllokuar pasi rrugët dhe urat janë bllokuar nga uji në Madagaskar, Mozambik dhe Malavi.
Autoritetet tani po shikojnë nëse një stuhi e dytë Batsirai do të godasë kontinentin javën e ardhshme. Në Mozambik, ku kanë humbur jetën 18 njerëz dhe janë prekur 120,000 njerëz, Maria Luisa Fornara, nga fondi i OKB-së për fëmijë, Unicef, e përshkroi stuhinë Ana si një “kujtues të hapur” të ndikimit që ka ndryshimi i klimës. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se nevojiteshin më shumë investime për të “mbrojtur dhe shpëtuar jetët”.
“Kam humbur varkën time të peshkimit, ajo u përfshi nga era e fortë,” tha për agjencinë e lajmeve “AFP” Abdul Ibrahim, një peshkatar në provincën Nampula të Mozambikut. “Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë më pare dhe do të jetë e vështirë për mua që të marr veten,” tha ai. Duke kërkuar strehim të përkohshëm në një klasë për të dhe dy fëmijët e saj, Maria Jose i tha “AFP-së” se erërat e para i’a kishin shkatëruar shtëpinë.
“Nuk më ka mbetur asgjë, kam humbur gjithçka,” tha ajo. Një pjesë e infrastrukturës që ishte rindërtuar pas ciklonit Idai në vitin 2019 është shkatërruar sërish raporton “BBC”. Në Madagaskar, i cili ishte vendi i parë që u godit të hënën, numri i të vdekurve tani është 48 dhe rreth 72,000 njerëz raportohet se kanë humbur shtëpitë e tyre.
“Jam shumë e trishtuar sepse ne punojmë si të çmendur për të fituar para dhe tani shtëpia jonë është shkatërruar,” tha një grua duke vëzhguar dëmin që u shkaktua. Presidenti i Malavit, Lazarus Chakwera, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme pas stuhisë që la të vdekur 20 persona në vend. Një banor në qytetin jugor të Chikwawa, përshkroi sesi bashkëfshatarët e tij kaluan dy ditë duke u mbajtur pas pemëve ndërsa ujërat përshkonin.
Autoritetet e motit po vëzhgojnë me vëmendje stuhinë tropikale Batsirai e cila është formuar në Oqeanin Indian dhe po lëviz drejt perëndimit. / abcnews.al