“Cilët janë ata që u vranë shpresën”, rinia që po braktis atdheun po paguan çmimin e qyqarërisë së prindërve të tyre

schedule22:52 - 29 Janar, 2022

schedule 22:52 - 29 Janar, 2022

Nga Kim Mehmeti:

Fëmijërinë time e shënuan pamjet rrëqethëse në stacionin hekurudhor të Shkupit, ku lotonin ata që shkonin në Turqi dhe ne që i përcillnim dhe mbetëm këtu. Dhe s’kishte kush na ngushëllon as neve që nuk e braktisëm vendlindjen, as ata që shkuan atje ku nuk i priste njeri.

Në ballinën e viteve të pjekurisë sime, mbetën të pashlyera skenat rrëqethëse të të dëbuarve nga Kosova, që ne i prisnim në Bllacë dhe i ngushëllonim me betimin se deri sa të ketë kulm mbi kokat tona, do ketë sofër edhe për ata.

Pas skenave trishtuese të fëmijërisë, pas pamjeve rrëqethëse të vitit 1999 në Bllacë, shpresoja se toka shqiptare kurrë më nuk do i ‘abortojë’ fëmijët e saj.
Dhe e dija se do jetë e vështirë, e dija se lumturia gjithë popullore është iluzion, por kurrë nuk e kisha menduar se do shihja pamjet trishtuese të të të rinjve që i braktisin “Shqipëritë” tona.

Shumë miq më pyesin pse ne individët publik, nuk dalim e t’i themi kësaj rinie të mos e braktisë atdheun!

Ja po ua them sepsen time: ngaqë më vjen turp t’u dal përpara atyre që heshturazi i braktisin trojet shqiptare! Më vjen turp sepse që të dalësh të kërkosh nga ata të kenë më shumë durim e të flijojnë për popull e atdhe, duhet ta kesh larë borxhin që ke ndaj tyre: paraprakisht t’u kesh treguar se cilët janë ata që ua vranë shpresën e atdhetarinë, se cilët janë ata që me dekada janë duke na bërë ‘evropianë’, por në ndërkohë, duke e shkatërruar e plaçkitur popullin e tyre.

Andaj, mendojë se kjo rini që është duke e braktisur atdheun, paguan edhe çmimin e qyqarërisë së prindërve të tyre, të mosguximit tonë që me kohë t’u ngjiteshim autobusëve që çojnë në Tiranë, Prishtinë e Shkup, që t’i mbushnim sheshet e atjeshëm dhe në mos më shumë, publikisht t’i lexonim emrat e atyre të cilët kurrë nuk e fshehën se jetonin në parajsën e ndërtuar mbi tokën e ferrit tonë.
Dhe duke qenë të tillë, ne sot përballemi me pyetjen e fëmijëve tanë, e që u bë emblemë e turpit tonë: me çka dallon liria e tyre e sotme demokratike, nga robëria e jon e deridjeshme! /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!