Një 40-vjeçar shqiptar, që është arrestuar në Greqi pasi ka joshur një vajzë 14-vjeçare në dhomën e një hotel, vijon që t’i mohojë akuzat. Deklaratat e dhëna për autoritetet ngrenë pyetje të reja rreth njerëzve që ishin në hotel me ta.
Siç raportojnë mediat në vend, ai ka deklaruar se me të miturën është takuar rastësisht në Monastiraki rreth orës 00:15 dhe më pas qëndruan duke folur derisa kuptuan që nuk kishte më mjete transporti.
“Ne u takuam rastësisht në Monastiraki rreth orës 00:15 dhe po bisedonim me miq të tjerë dhe koha kaloi dhe mjetet e transportit u mbyllën. Nuk munda të kthehesha dhe vendosa të qëndroj në hotel sepse ishte shumë ftohtë jashtë. E mitura nuk donte te shkonte në shtëpinë e saj dhe gjate bisedës me tha nëse mund te vinte me mua në hotel. Erdhi edhe shoqja e saj bashkë me të dashurin që nuk i njoh. Edhe ata kishin ftohtë, kështu që ne shkuam në dhomë dhe pamë televizor”, është shprehur 40-vjeçari shqiptar.
Krahas dëshmisë së tij, në të cilën ai flet për personat që ndodheshin në hotel, kamerat shfaqin dy persona të tjerë që hyjnë në dhomën 3030. Në veçanti bëhet fjalë për një të mitur dhe një shok, për të cilët i akuzuari nuk jep më shumë detaje.
I akuzuari mohon të ketë lënduar të miturën, ndërsa autoritetet janë në pritje të përfundimit të raportit mjeko-ligjor. Në të njëjtën kohë, nga hoteli janë sekuestruar çarçafët, jorganët dhe këllëfët e jastëkëve.
Nëna e vajzës ka qenë ajo që ka çuar autoritetet te 40-vjeçarin, ndërsa sipas dëshmisë së saj, e kishte parë edhe një herë me të bijën. Në orët e para të së dielës, 40-vjeçari me origjinë shqiptare e kishte marrë 14-vjeçaren në dhomën 3030 të hotelit.
14-vjeçarja, e cila sipas prindërve ishte zhdukur që prej pasdites së shtunës, ka postuar në rrjetet sociale një foto nga dhoma e hotelit në orët e para të së dielës. Nëna e saj e pa postimin dhe menjëherë thirri policinë. /abcnews.al/