Partia Demokratike e Kosovës bojkoton seancën në shenjë proteste ndaj EULEX

schedule16:41 - 23 Nëntor, 2017

schedule 16:41 - 23 Nëntor, 2017

Deputetët e koalicionit Pan, përfshirë dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kanë bojkotuar seancën e sotme të parlamentit në shenjë proteste për skandalin ku është përfshirë EULEX, duke u kërkuar dhe kolegëve të tyre të bëjnë të njëjtën gjë. Por Vetëvendosje dhe LDK, qëndruan në sallë ku dhe shkëmbyen replika.

Seanca parlamentare e ditës së sotme është braktisur nga koalicioni PAN me propozim të deputetit Memli Krasniqi i Partisë demokratike të Kosovës. Krasniqi i kërkoi të gjithë deputetëve që të bojkotojnë seancën në shenjë revolte për ngjarjet e fundit në lidhje me skandalin për korrupsion që sipas tij ka përfshirë EULEX-in.

Por Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja demokratike e Kosovës qëndruan në sallë dhe replikuan duke kritikuar bojkotin e seancës nga ana e kolegëve të PAN. Kryetari i grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca, akuzoi kryetarin e parlamentit Kadri Veseli se po sillet si kryetar partie dhe jo si udhëheqës seance.
Edhe kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Dmokratike të Kosovës kritikoi Deputetët që u larguan nga salla dhe nuk ka pranuar që seanca të rifillojë të premten në orën 10 por propozoi ditën e hënë të javës së ardhshme.

I pyetur nga drejtuesja e seancës nëse Vetëvendosje ishte dakord, meqënëse në sallë ishin të pranishëm vetëm 44 deputetë dhe për këtë arsye nuk mund të votohej, Konjufca propozi si datë për mbajtjen e seancës të enjten e 30 nëntorit.
Të pranishëm në sallë kanë qenë dhe deputetët e Vetëvendosjes Albin Kurti dhe Donika Kadaj Bujupi, për të cilët është lëshuar një urdhër arresti nga Gjykata e Prishtinës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!