Shkencëtarët australianë këtë të enjte kanë bërë me dije se kanë zbuluar një objekt rrotullues të panjohur në Rrugën e Qumështit, në galaktikën ku gjendet sistemi ynë diellor.
Nga të dhënat që ato disponojnë pretendojnë se një objekt i tillë nuk është zbuluar më parë. Mediat e huaja bëjnë me dije se objekti fillimisht u zbulua nga një student universitar dhe është parë se ka liruar një shpërthim të madh të radio-energjisë, që ka zgjatur për një minutë të plotë, dhe ka ndodhur çdo 18 minuta.
Objekte që lëshojnë energji në Univers dokumentohen shumë shpesh. Por, hulumtuesit thanë se është shumë e pazakonshme që një objekt të lëshojë energji për një minutë të plotë.
Ekipi i shkencëtarëve tha se po kryen hulumtime të mëtejme për të kuptuar se pse ka ndodhur kjo. Objekti fillimisht u zbulua nga studenti i Universitetit Curtin, Tyrone O’Doherty. Ai kishte përdorur një teleskop dhe një teknikë të re, që e ka zhvilluar vetë, kur e ka detektuar këtë objekt.
O’Doherty ishte pjesë e ekipit të udhëhequr nga astrofizikantja Natasha Hurley-Ëalker nga Universiteti Curtin dhe nga Qendra Kombëtare për Kërkime të Radio Astronomisë (ICRAR).
“Gjatë vëzhgimeve tona disa orëshe objekti u zhduk dhe u shfaq disa herë”, citohet të ketë thënë ajo në një deklaratë për media të lëshuar nga ICRAR.
Ndërkohë objektet që ndizen dhe fiken në Univers nuk janë gjë e re për astronomët. Ata përdorin termin “transients” për këto objekte.Por, lirimi i energjisë për një minutë të plotë nga objekti i zbuluar ishte diçka “e çuditshme”, tha astrofizikantja, Gemma Anderson./abcnews.al