Basha e sulmoi, sekretari i PD: Argumentet e PS-së për shkarkimin e Metës të turpshme

schedule23:07 - 25 Janar, 2022

schedule 23:07 - 25 Janar, 2022

Partia Demokratike ka ndryshuar rrënjësisht qëndrim kundër Presidentit Ilir Meta. Lulzim Basha ndryshe nga momenti kur e mori në mbrojtje pas shkarkimit nga socialistët, pas konfliktit me Sali Berishën e ka vendosur në shënjestër kreun e shtetit duke e akuzuar se është pjesë e trekëndëshit të Bermudës.

Në prag të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Presidentin Ilir Meta, sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Indrit Sefa u shpreh sonte në “Log.” se selisë blu nuk i intereson kjo çështje, por theksoi se argumentet që u përdorën për shkarkimin e tij në parlament nga socialistët janë të turpshme.

Nuk kemi asnjë interes, sikur e kanë zgjedhur, vetë ta shkarkojnë. Ramën e detyron fryma e Kushtetutës për të gjetur një kandidaturë të përshtatshme. Po të them edhe njëherë, unë e ndaj precedentin e rrezikshëm të shkarkimit të një presidenti. Unë nuk e konsideroj Metën si presidenca, por kalimtar. Argumentet e shkarkimit janë të turpshme” tha ai.

Çlirim Gjata, ish-sekretar për çështjet ligjore në PD, që tashmë ka kaluar me grupin e Sali Berishës, i kujtoi qëndrimin e parë që Lulzim Basha e cilësonte Ilir Metën në maj si “ishullin” e vetëm që nuk ishte kapur nga pushteti dhe në nëntor, një nga këndet e trekëndëshit të Bermudës.

Partia Demokratike e konsideron antikushtetues vendimin e Kuvendit një partiak për shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe kërkon nga Gjykata Kushtetuese të ruajë paanësinë dhe të garantojë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, duke refuzuar farsën për shkarkimin e Presidentit të Republikës” kjo ishte deklarata e PD-së pas shkarkimit të Ilir Metës nga PS në qershor të vitit të kaluar.

/ Abcnews.al