Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla e komenton djegien e mandateve nga deputetët e opozitës si frikë nga ngritja e institucioneve të drejtësisë. Sipas Ballës, nëse braktis parlamentin, opozita do të humbë edhe elektoratin që e ka votuar.
Në sallë duke votuar do t’i presë mazhoranca protestuesit e opozitës. Arsyen e pjesëmarrjes në seancën e të enjtes e shpjegon nga Elbasani Taulant Balla.
“Bojkoti i radhës i PD-së dhe LSI-së i maskuar si djegie mandatesh është përpjekja e radhës për të bllokuar SPAK dhe BKH. Të enjten ne votojmë në seancë plenare strukturat e KLGJ-së dhe KLP-së. Ja pse PD dhe LSI po agravohen dhe po sulmojnë institucionet”, tha ai.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste këshillon opozitën që të mos vazhdojnë të përmbuzin parlamentin pasi sipas tij do të humbasin elektoratin që e ka votuar.
“Mandatet e deputeteve përfaqësojnë vullnetin e popullit. Djegia e tyre do të thotë injorimi i këtij vullneti”, u shpreh Balla.
Jo vetëm kaq, por edhe injorim të qëndrimit të partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët nuk mbështesin as metodat e dhunshme dhe as këtë lloj retorike paralajmëron kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla nga takimi me strukturat e partisë në Elbasan./abcnews.al