Kuç-Qeparo, rruga që nuk po mbaron

schedule15:53 - 23 Janar, 2022

schedule 15:53 - 23 Janar, 2022

Nga Elton Nikaj 

Kjo është rruga nga Ura e Laskos në drejtim të Kuçit që përfundon në Qeparo. Punime kanë nisur në prill të 2020 me afat 2-vjeçar. Por deri në tani nga 23 km rrugë vetëm 4 janë shtruar.  Për ndërtimin e rrugës po punohet në disa fronte.

Këtu është pjesa fundore e Lumit të Vlorës prej këtu lidhet dhe rruga nga Kuçi në Qeparo. Këtu kanë mbetur pa asfaltuar 6 km nga Ura e Laskut deri në fshatin Kuç. Në fshatin Kuç ecuria e punimeve është e ngadaltë.

Aktualisht është duke u punuar në hapjen, sheshimin e rrugës dhe vendosjen e parametrave që më pas të nisë asfaltimin e këtij segmenti rrugor. Banorët e Kuçit që prej vitesh kanë qenë të izoluar flasin për përfitimet nga ndërtimi i rrugës.

“Më parë s’kish rrugë fare ishte këmbësorësh. Kemi qenë të izoluar si fshat rrugë e dëmtuar doje 4 orë të shkojë në Vlorë.”

“Kemi dalë në një planet tjetër me këtë rrugë sa e mirë është kjo rrugë për këtë komunitet. Të vije në bregdet doje të rrije një ditë tani do shkojmë për 18 minuta.”

“Për ne ka shumë rëndësi se lidhemi me bregdetin me Kurveleshin shkojmë më shpejt dhe në Greqi që këtej. Si rrugë dhish ka qenë.”

Me nisjen e këtij investimi, në Kuç po kthehen dhe banorët që e kishin braktisur fshatin.

“Janë kthyer e njerëz që jetojnë në Vlorë për të rindërtuar shtëpitë.”

Ky është km i 9 i rrugës që nis nga Qeparoi në drejtim të Kuçit. Kjo është dhe zona ku janë përqëndruar punimet, ndërsa cilësohet si zona më problematike për shkak të terrenit.

Siç duket dhe nga pamjet rruga në këtë faqe male është bllokuar. Për rrezikshmërinë që mbart nuk lejohet të kalojnë kalimtarët. Për zgjerimin e rrugës po hidhen dhera dhe inerte. Deri tani janë asfaltuar vetëm 4 km e parë në pjesë e Qeparosë.

“Nga pika zero në Qeparo deri në fshati Kudhës është e përfunduar si asfalt të dyja shtresat 4 km rrugë kanë mbaruar. Tani është pjesa nga fshati Kudhës dhe në vazhdim.”

Në projektin e rrugës Qeparo-Kuç janë përfshirë dhe 4 ura. Punimet për këto vepra arti kanë nisur.

Kjo është një nga katër urat e parashikuara për tu ndërtuar në segmenti rrugor Qeparo-Kuç, ndodhet në km e 5-të duke nisur nga Qeparoi.

Inxhinieri Tomor Elmazaj jep detaje për punimet e urave. “Në këtë pjesë është vetëm një urë dhe janë 4 bokse dhe tomina të vogla 800 dhe 1500 që janë pjesë e veprave të artit. Në të gjithë gjatësinë janë 4 ura, 3 në Kuç dhe një në fshatin Kudhës,” thotë ai.

A do i përmbahet kompania ndërtuese afateve të përfundimit të rrugës që është muaji prill? Nga vëzhgimi ynë duket e vështirë pasi nuk janë asfaltuar 19 km, s’kanë përfunduar barierat mbrojtëse, sinjalistika dhe ndriçimi.

Po ndryshe mendon inxhinieri Tomor Elmazaj. “Për sezonin turistik themi të jemi gati mund të kemi vetëm pjesë të vogla që nuk do pengojnë sezonin turistik.”

Optimist është dhe kreu i Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, që thotë se ka ndjekur hap pas hapi punimet.

“Ky është segmenti i fundit i rrugës së lumit të Vlorës e cila lidh Qeparoin me Vlorën nëpërmjet kalimit nga lumi i Vlorës. Është segmenti Kuç-Qepara rreth 23 km i gjatë. i cili lidh përfundimisht njësinë administrative të Bashkisë Himarë me Hor-Vranishtin. Mendojmë që edhe nga kontrollet e vazhdueshme që bëjmë gjatë punimeve dhe me firmën zbatuese kjo pjesë e rrugës deri nga qershori të përfundojë asfaltimi që të bëjnë të mundur kalimin e vizitorëve për në Himarë. Do ti japë zhvillim jo vetëm zonës së lumit të Vlorës, por dhe Bashkisë Himarë duke rritur fluksin e turistëve por dhe zhvillimin e turizmit malor. Do vijnë më shpejt në Himarë të anashkalojnë fluksin e madh të pjesës Orikum Vlorë dhe Orikum Dhërmi.”

Investimi për ndërtimin të rrugës nga Ura e Laskut-Kuç-Qeparo me një fond prej 35 milionë lekë po ndërtohet nga kompania italiane INC.spa. /abcnews.al