Dy fansa amerikanë të aktores kubano-spanjolle Ana de Armas kanë paditur studion hollivudiane Universal Pictures, duke thënë se ata u mashtruan të merrnin një film me qira sepse ajo ishte në trailer. Conor Woulfe dhe Peter Rosza thonë se ata kanë paguar secili 3,99 dollarë për komedinë “Dje’, vetëm për të zbuluar se aktorja ishte hequr nga skenat përfundimtare. Ata po kërkojnë 5 milionë dollarë kompensim në emër të të gjithë shikuesve të prekur.
Universal Pictures deri më tani nuk ka komentuar për këtë çështje raporton “BBC”. Fansat thonë se ishin viktima të marketingut mashtrues dhe se Universal përdori “famën dhe shkëlqimin” e De Armas për të promovuar një film në të cilin ajo nuk ishte. “Edhe pse i pandehuri ka përfshirë skenat me zonjën De Armas në reklamat e trailerit të filmit, për qëllime të promovimit të “Dje” dhe joshjes së shitjeve dhe marrjeve me qira të filmave, zonja De Armas nuk është dhe nuk ka qenë kurrë në versionin publik të filmit”, thuhet në ankesën e paraqitur në Kaliforni të premten, sipas “Hollywood Reporter”.
Historia e filmit “Dje” ka të bëjë me një kantautor që godet kokën dhe zgjohet për të zbuluar se është i vetmi person në Tokë që kujton Beatles. Ana de Armas, e cila u shfaq në filmin e fundit të Bond-it “No Time to Die” do të luante rolin e një vajze që kantautori ishte i dashuruar. Por skenat me aktoren 33 vjeçare u ndërprenë, me sa duket sepse publikut nuk i pëlqente ky aspekt i historisë.
Skenaristi Richard Curtis tha në vitin 2019 se kishte qenë një “prerje shumë traumatike”, sepse De Armas ishte e “shkëlqyeshme” në rol. / abcnews.al