Nga Xhensila Kodra
Viti që lamë pas shënoi rritje në numrin e emigrantëve të paligjshëm që Shqipërinë donin ta përdornin tranzit e për të kaluar më pas me destinacion final vendet e BE-së. Gjatë 2021-it, në pikat e kalimit kufitar janë ndaluar rreth 19 mijë klandestinë nga vendet e Lindjes së Mesme, kryesisht sirianë. Pjesa më e madhe e tyre janë kapur në kufi dhe jo brenda territorit.
Referuar raportit të policisë, vetëm 66 persona kanë kërkuar azil në vendin tonë, numër shumë herë më i ulët krahasuar me vitet e mëparshme. Pjesa tjetër janë trajtuar me largim të menjëhershëm vullnetar në momentin që nuk kanë plotësuar kushtet për të qenë si azil kërkues në Shqipëri.
Nga 19 mijë emigrantët e ndaluar, 8 mijë e 400 persona janë përsëritës, të cilët janë kapur edhe më herët në tentativë për të hyrë ilegalisht në territor.
Shtimi në numër i emigrantëve të paligjshëm që vijnë nga vendet e luftës, në vendin tonë rriti dhe trafikimin e tyre nga njëri shtet në tjetrin. Gjatë vitit 2021 janë zbuluar 124 raste të trafikimit. Janë arrestuar 132 persona, nga të cilët 107 shqiptarë dhe 25 të tjerë shtetas të huaj.
Pak ditë më parë, në një operacion të përbashkët me Italinë e Greqinë, u lëshuan 47 urdhër arreste për anëtarë të 4 grupeve kriminale që merreshin me trafikun e klandestinëve, nga Lindja e Mesme drejt vendeve të BE-së. 25 prej tyre vetëm në vendin tonë, 18 prej tyre shqiptarë dhe 7 të huaj.
/ Abcnews.al