Tirana shpëton në fund

schedule09:10 - 18 Shkurt, 2019

schedule 09:10 - 18 Shkurt, 2019

Tirana shmangu humbjen ndaj Luftëtarit vetëm në minutat e fundit, në ndeshjen e Superligës. Në sfidën tjetër, Flamurtari mundi 2-0 Skënderbeun në Vlorë.

U desh një mrekulli e tillë që të vinte shpëtimi. Tirana nuk arriti të fitonte, por edhe shmangia e humbjes në sekondat e fundit shtesë, mund të quhet arritje e rëndësishme. Afrikani Kobinah realizoi një gol të madh, që u duk e vetmja mënyrë për marrë të paktën pikën ndaj Luftëtarit në “Selman Stërmasi”.

Formacioni vendas, i drejtuar nga trajneri Ardian Mema, vlerësohej si favorit absolut përpara fillimit të sfidës, për vetë ecurinë pozitive këtë vit, si dhe për lëkundjet e mëdha të gjirokastritëve. Tirana jo vetëm që kishte arritur fitore, por edhe ishte kualifikuar në Kupën e Shqipërisë ndaj Flamurtarit, dhe u duk se e kishte marrë veten.

Ndeshja tregoi se nuk ishte plotësisht kështu dhe se ndaj Luftëtarit nuk u realizua epërsia në lojë që prisnin tifozët. Miqtë kaluan të parët në epërsi që në minutën e 21-të me anë të Aleksit dhe përballuan presionin e vendasve, sidomos pas pushimit. Ky barazim bëri që Tirana të mos mbante epërsinë prej 8 pikësh ndaj vendit të parafundit, Kastriotit, avantazh që zbriti në 6. Trajnerët gjykuan kështu pas ndeshjes.

“Fillon loja me 1-0 dhe gjithsesi krijohet një lloj presioni brenda ekipit. Lojtarët nuk ishin të qetë. Një nga gjërat që iu thashë në pushim të ndeshjes ishte që duhet të ishin të qetë. Ndodhi thjesht një barazim që për ne ia vlejti”, tha Mema.

“Në futboll ndodh që të shënohen gola të bukur dhe të prishin çdo lloj ëndrre. Kjo është pjesë e futbollit. Ne mund të kishim dyfishuar, kjo më shqetëson”, tha Ahmataj.

Ndërkaq, në Vlorë, Flamurtari më në fund e mundi Skënderbeun në këtë kampionat. Një fitore e merituar, arritur me golat e Ribajt dhe të Mustës, dhe me mjaft raste të vendasve.

Gjithsesi, Skënderbeu pati gjithashtu mundësi shënimi, ndërsa sulmuesi Oto Xhon i prishi punë skuadrës, duke bërë të pavlefshëm golin e barazimit shënuar nga Krasniqi. Pas 22 javëve, Flamurtari u barazua me pikë me Skënderbeun, nga 33, dhe ende shpreson për një vend në Ligën e Europës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!