Protesta e 16 Shkurtit e opozitës zgjati vetëm 5 orë, e pa rezultatin e premtuar prej katër javësh. Dritëhijet e lëvizjeve që paraprinë protestën, por edhe që ndikuan ecurinë e saj, na sjell Mimoza Koçiu me Politika në ABC News.
Iu përgjigjën edhe njëherë Lulzim Bashës të shtunën e 16 Shkurtit, për një protestë të paralajmëruar 4 javë më herët, për largimin e kryeministrit. Mesa duket ky i fundit, indiferencën e javëve para protestës, e kishte patur veç publike, ndërsa kishte përgatitur kundërpërgjigjen. Në të njëjtën orë, organizoi një takim masiv në sheshin e Flamurit në Vlorë. E njoftuar si protestë e qytetarëve, e pa fjalime politike, ishin pikërisht qytetarët që vepruan, ndërsa policia u hapte rrugë.
Por ndryshe nga pritshmëritë që u kishte krijuar opozitarëve, protesta e 16 Shkurtit u mbyll pas 5 orësh, pa rezultatin e premtuar, largimin e Kryeministrit. Përgatitjet si të opozitës ashtu edhe të qeverisë për këtë ditë, ishin intensifikuar javën e fundit para protestës së 16 Shkurtit. Edhe Kryeministri iu drejtua qytetarëve, por ndryshe nga Basha, në takime të mbyllura, të cilat ishin një çelje jo zyrtare e fushatës lokale të 30 qershorit. “Bashkia që duam” ishte slogani që u shpalos së pari në Korçë, ku shefi i mazhorancës rikonfirmoi rikandidimin e kryebashkiakut Filo.
Normalitetit që përpiqej të përcillte Rama, Basha i përgjigjej duke renditur krah kauzës së opozitës, edhe faktorin ndërkombëtar. Por vëmendja e opinionit publik u tërhoq nga një personazh i njohur i kronikës. Dritan Dajti, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen në gusht 2009 të 4 efektivëve të policisë, që do bënin arrestimin e tij, fitoi ndryshim dënimi. Apeli i krimeve të rënda kishte pranuar gjykimin e shkurtuar, që ia conte në 25 vjet, dënimin e mëparshëm me burgim të përjetshëm. PD reagoi menjëherë:
Prokuroria njoftoi ankimim të vendimit sapo ai të zbardhej, ndërsa Lulzim Basha, i mëshoi në takimin e të nesërmes. Spikati mungesa e një Donald Lu-je, që në Dhjetor 2016 reagoi fort në rastin e lirimit të Lul Berishës. Heshtja e mazhorancës u thye dy ditë pas vendimit për Dajtin, me dalje të njëpasnjëshme të dy ministrave Etilda Gjonaj dhe Sandër Lleshaj. Ministrja e Drejtësisë e konsideroi precedent të rrezikshëm dhe paralajmëroi ankimim në KLGJ.
Ndërsa ministri i Brendshëm foli për riaktivizim të Forcës së Ligjit, task forca speciale kundër krimit të organizuar, e ngritur nga paraardhësi i tij në Nëntor 2017. Ambasadori i BE në Shqipëri Luigi Soreca mbështeti veprimet e dy ministrave, në një reagim në Twitter.
Trupa 5 antarëshe e Apelit të krimeve të rënda u bë shënjestër publike. Tre ditë pas vendimit, kreu i trupës gjykuese, ndau përgjegjësinë. Reagoi përsëri edhe Lulzim Basha, por për të nënvizuar heshtjen e Kryeministrit. Në Rrëshen Edi Rama foli për çështjen, 5 ditë pas vendimit që e uli në 25 vjet, dënimin e përjetshëm të vrasësit të 4 policëve.
Lulzim Basha që orientonte publikun tek protesta për largimin e kryeministrit, i bëri një paralajmërim të fortë nga Pogradeci. Ishte momenti që Rama t’i përgjigjej sfidës. Publikisht u shfaq i qetë.
Por qetësia mbeti vetëm në artikulimin publik të Kryeministrit. Qëndrimi i Policisë së Shtetit kishte gjithë tiparet e dekurajimit të protestuesve, çka solli edhe reagimin e PD. Të nesërmen erdhi një tjetër lëvizje. Autoriteti Rrugor bënte të ditur se do kryente punime nga mesjava deri në fundjavë, në dy segmente hyrëse të kryeqytetit
3 ditë para protestës, i bashkoi në seancë parlamentare, ratifikimi i protokollit të antarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. Në sallë për të përshëndetur mbështetjen e Shqipërisë, ishte kreu i kuvendit të maqedonisë Talat Xhaferri. Por panorama solemne e pikës së parë të rendit të ditës, nuk zgjati shumë.
Çka tensionoi situatën ishte reagimi i kryeministrit pas fjalës përshëndetëse të Bashës për anëtarësimin e Maqedonisë së veriut në NATO, të cilën e mbylli akuza ndaj qeverisë, e thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e 16 shkurtit.
A u kap vallë në befasi Kryeministri? E vështirë me eksperiencën e gjatë të betejave politike. Reagimi i shpejtë e dëshmoi. Insistoi fort që ta merrte fjalën për herë të dytë, edhe pse në foltore ishte republikani Mediu, e kryetari i Kuvendit ngurroi jo pak për t’ia dhënë.
Ministria e Brendshme shpërndau një deklaratë të Gardës dhe Policisë, në të cilën njoftohej nisja e një hetimi ndaj Edi Palokës, për argesion ndaj Kryeministrit, me një solucion kimik të parapërgatitur. Zyra e shtypit e PD bëri të ditur se gjesti i Palokës vinte si përgjigje ndaj asaj që e konsideronte bullizëm të Kryeministrit, për mënyrën e artikulimit të tij. Ish-Kryeministri Berisha ishte i pari që e justifikoi. Mazhoranca bëri një dalje të dyfishtë kundër aktit të Palokës.
Një ditë para protestës së 16 shkurtit, u kuptua mesazhi i rezervuar që kishte përcjellë ministri i brendshëm për veprimin e Forcës së Ligjit, pas vendimit për Dritan Dajtin. Një kërkesë e policisë së shtetit për kontroll në banesat e tre gjyqtarëve të apelit që vendosën reduktimin në 25 vjet të dënimit të përjetshëm të Dajtit, kishte gjetur miratimin e gjykatës së krimeve të rënda, edhe pse vendimi për Dajtin ende nuk ishte zbardhur.
Efekti publik ishte i duhuri për Kryeministrin që opozita paralajmëronte ta largonte me protestën e 16 Shkurtit. Si zakonisht ambasada amerikane kishte reaguar e para, me një apel pro të drejtës për protestë e kundër dhunës, që i adresohej të gjithë udhëheqësve politikë. Në të njëjtën linjë ishte edhe ambasadori i BE, prezenca e OSBE.
Sërish PD e kritikoi qëndrimin e policisë, duke renditur emra nga mazhoranca. E shtuna mblodhi në Tiranë qytetarë nga të gjitha rrethet e vendit, që iu përgjigjën thirrjes së opozitës për protestë deri në largimin e kryeministrit Rama. Nisi me lule për uniformat blu, e pa fjalime politike. Paralelisht në Vlorë nisi takimi I kryeministrit e vëmendja u përqendrua tek fjala e tij, që kishte focus pikërisht protestën në Tiranë
Ishte momenti kur qetësia mori fund në sheshin para kryeministrisë. Disa protestues, kaluan lirisht rrethimin e policisë dhe mësynë godinën e qeverisë. Shënjestra ishte instalacioni me drita i Philipe Parrenos, i siguruar me mbulesë si zakonisht në raste protestash. Masat më të rrepta ishin marrë brenda ambienteve.
Ky skenar u përsërit disa herë. Mes thirrjeve të policisë për të shmangur veprimet që rrezikonin jetë qytetarësh, gazit lotsjellës e akteve të protestuesve, shtohej numri i të lënduarve nga të gjitha palët, mes tyre edhe punonjës të mediave. Thirrje për distancim nga dhuna erdhën me radhë nga ambasada e SHBA, delegacioni i BE dhe OSBE. Apeli u drejtohej të gjitha palëve për vetëpërmbajtje, njëlloj si ai i kreut të shtetit.
Dukej e paqartë strategjia e protestës, ndërsa gjithë lidershipi i opozitës ishte mes protestuesve. Sa ndikuan ndërkombëtarët me mesazhet jo publike në ecurinë e kësaj proteste? Tradita 28 vjecare na ka treguar se roli i tyre ka qenë vendimtar si interlokutorë në situata tensioni. Kur po mbusheshin 5 orë nga nisja e protestës, Lulzim Basha njoftoi mbylljen e saj.
Sa ndikuan mesazhet publike e jopublike të ndërkombëtarëve në këtë mbyllje të protestës? Çka spikati ishte komunikimi i kursyer i kryeministrit. Në vetëm dy Twitter-a shprehu keqardhjen për shkatërrimin e kërpudhës së Carsten Holler, dhe për qytetarët në bulevardin para Kryeministrisë, duke vlerësuar ata që u mblodhën me të në Vlorë. Topi mbetet sërish në fushën e Lulzim Bashës, kauza e të cilit për largimin e Kryeministrit, është një detyrë e papërmbushur./abcnews.al