Bastionet, kush i ka kontrolluar 6 bashkitë “përsëritëse”

schedule15:49 - 20 Janar, 2022

schedule 15:49 - 20 Janar, 2022

Nga Esiona Konomi

6 marsi nuk do të jetë një test për fuqinë e mazhorancës, se sa një matje force brenda kampeve të opozitës, e sidomos demokratëve.

Megjithëkëtë, e shkuara politike e 6 bashkive ku do të përsëriten zgjedhjet, krijon një panoramë se si janë ato të orientuara politikisht, duke marrë në analizë bashkitë qendër, pavarësisht se ndarja e re territoriale ju ka shtuar atyre edhe komunat.

Në Bashkinë Shkodër, më shumë se 160 mijë votues kanë të drejtë të japin verdiktin e tyre duke ju drejtuar 250 qendrash votimi.

Kjo njësi e veriut është qeverisur historikisht nga Partia Demokratike në nivel lokal, përjashtuar vitin 2019, kur me bojkotimin e opozitës, fitoi kandidati i PS-së, Valdrin Pjetri. Por Voltana Ademi nuk u largua asnjëherë nga zyra, sepse Pjetri u kap nga dekriminalizimi përpara se të merrte zyrtarisht mandatin.

Një tjetër bashki që do të përsërisë zgjedhjet në 6 mars, është edhe Dibra. 101 kutive të votimit mund tu drejtohen 56 mijë zgjedhës.

Kjo zonë nuk ka pasur një qëndrueshmëri politike. Përpara 2015-ës e kanë dominuar të djathtët, ndërsa PS e fitoi me Shukri Xhelilin, por një skandal seksual bëri që zgjedhjet të përsëriteshin, e PS të fitonte sërish me kandidaturën e një mjeku.

Socialistët e dominojnë edhe bashkinë Durrës prej më shumë se 15 vjetësh. Në qytetin bregdetar votojnë rreth 260 qytetarë, të shpërndarë në 335 qendra zgjedhore.

Bashkia Vorë në qarkun e Tiranës fton për votim rreth 30 mijë zgjedhës të organizuar në 44 qendra votimi. Ajo ka qenë zakonisht bastion i së djathtës, por në vitin 2019 me bojkotin e PD-së, fitoi mazhoranca socialiste. Fitore e cila nuk i shijoi gjatë Agim Kajmakut që e largoi dekriminalizimi.

Bashkia Rrogozhinë nuk ka një profil të qartë të përkatësisë politike të saj. Ajo është qeverisur nga të gjitha palët në kohë të ndryshme. Aty zgjedhjet organizohen në 53 qendra votimi dhe thirren rreth 32 mijë zgjedhës.

Me Fatos Tushën në burg për korrupsion, zgjedhjet do të përsëriten edhe në Lushnjë. Historiku tregon se kjo njësi është kontrolluar në pjesën më të madhe të viteve nga socialistët. 104 zgjedhës thirren për të votuar në 157 qendra. /abcnews.al