Dhjetë të burgosur janë shpallur fajtorë për përdhunimin e dhjetëra të burgosurave femra gjatë një trazire të dhunshme në një burg të mbipopulluar në Republikën Demokratike të Kongos. Tridhjetë e shtatë gra dhe një vajzë adoleshente dëshmuan se ato u përdhunuan në mënyrë të përsëritur gjatë një trazire tre ditore në Burgun Qendror të Kasapa në vitin 2020. Disa femra të paraburgosura mbetën shtatzënë dhe morën infeksione seksualisht të transmetueshme, përfshirë HIV-in.
Të 10 burrat u gjobitën dhe u urdhëruan të kryejnë 15 vjet burgim shtesë. Megjithëse disa nga të burgosurat ishin shumë të frikësuara për të dhënë dëshmi, dhjetëra dëshmuan para një prokurori ushtarak se ato ishin përdhunuar gjatë trazirave. Melanie Mumba, një avokate e viktimave, i tha agjencisë së lajmeve “AFP”: “Ne jemi të kënaqur me vendimin, pas një lufte të gjatë për të fituar drejtësi”.
Objekti i shkatërruar i burgut u mor nga një grup të burgosurish meshkuj për disa ditë në shtator 2020. Ata i vunë zjarrin seksionit të grave të burgut me femra të paraburgosura dhe ato ishin të detyruara të flinin në oborrin e burgut, ku u nënshtroheshin sulmeve seksuale. Rreth 20 të burgosur dhe një roje burgu thuhet se u vranë gjatë dhunës përpara se forcat e sigurisë të rifitonin kontrollin.
Përdhunimet masive u theksuan në raportet e Human Rights Watch, e cila u kërkoi autoriteteve të hetonin sulmet dhe të ofronin kujdesin e duhur për të prekurit. Grupi i fushatës tha se burgu, i ndërtuar për të strehuar 800 të burgosur, kishte pothuajse 2,000 njerëz në paraburgim gjatë incidentit. Në raport shkruhej se higjiena e dobët, kushtet sanitare dhe kujdesi shëndetësor që u raportuan në të gjithë objektin, me paralajmërime të përsëritura që do të shpërthente një trazirë u injoruan nga zyrtarët e lartë.
Thomas Fessy, studiues i lartë në Kongo i Human Rights Watch, i tha “BBC-së” se ndjekja penale e 10 të burgosurve “duhet parë vetëm si hapi i parë”. Ai tha gjithashtu që “Nga 56 femra të paraburgosura në burg në kohën e trazirave, 37 gra dhe një vajzë adoleshente dëshmuan para prokurorit publik të Lubumbashi se të burgosurit meshkuj i kishin dhunuar dhe çdo autor duhet të përgjigjet për këto akte”. / abcnews.al