Pas skandalit të të dhënave të mijëra shqiptarëve, Konfindustria ka kërkuar që të pezullohet fiskalizimi i detyrueshëm për bizneset deri në dhënien e sigurive të plota teknike dhe ligjore nga shteti shqiptar për mbrojtjen e të dhënave tregtare të bizneseve. Lidhur me këtë një reagim i fundit ka ardhur edhe nga Presidenti Ilir Meta i cili shprehet se mbështet këtë nismë.
Me anë të një njoftimi për mediat, Meta shprehet se skandali i rrjedhjes së të dhënave, tregon problematikat e shumta të sotme të sigurisë së rrjeteve të informacionit.
Meta ka tërhequr vëmendje institucioneve shtetërore, që në rastin e ngjashëm të mundshëm të rrjedhjes së të dhënave massive, pasojat do të jenë shumë më të rënda sesa të skandalit të dhjetorit 2021.
Postimi i Metës:
Pasi jam njohur zyrtarisht, si dhe duke vlerësuar interesin e madh publik, kushtetues, sigurisë kombëtare dhe përgjegjësive euroatlantike të vendit, mbështet nismën e Konfindustrisë për pezullimin e përkohshëm të procesit të fiskalizimit të detyrueshëm për bizneset, deri në dhënien e sigurive të plota teknike dhe ligjore nga shteti shqiptar për mbrojtjen e të dhënave tregtare të bizneseve.
Skandali i rrjedhjes së të dhënave personale të qindra mijë qytetarëve shqiptarë në dhjetor 2021 drejtpërdrejt nga agjensia shtetërore përgjegjëse AKSHI, tregon problematikat e shumta të sotme të sigurisë së rrjeteve të informacionit.
U tërheq vëmendjen institucioneve shtetërore, që në rastin e ngjashëm të mundshëm të rrjedhjes së të dhënave masive të siguruara në kohe reale nga procesi i fiskalizimit me detyrim edhe nga dhjetra kompani private ndërmjetëse, pasojat do të jenë shumë më të rënda sesa të skandalit të dhjetorit 2021.
Në ketë rast pasojat do të jenë të rënda për mbi 120 mijë biznese, që rrezikohen nga penalizime gjyqësore në vlera të jashtëzakonshme për shtetin shqiptar, goditje në afatgjatë për ekonominë dhe deri në cenim të sigurisë kombëtare dhe rendit kushtetues.
/abcnews.al/