Të paktën 22 persona deri më tani kanë humbur jetët pasi tërmetet e njëpasnjëshme goditën pjesën perëndimore të Afganistanit ditën e hënë, thanë zyrtarët. Sipas të dhënave nga Shoqëria Gjeologjike e SHBA-së, tërmetet me magnitudë 4.9 dhe 5.3 prekën provincën veriperëndimore të Badghis, ku shkaktuan shembje shtëpish dhe ndërtesash. Një zëdhënës i tha “AFP-së” se katër fëmijë ishin në mesin e atyre që u gjetën të vdekur në rrënoja dhe 700 shtëpi u dëmtuan.
Tërmetet mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme në Afganistan, ku shumë banesa nuk janë aq të qëndrueshme apo të ndërtuara mirë. Shoqëria Gjeologjike e SHBA-së tha se të dy tërmetet ditën e hënë goditën rreth 50 km nga Qala-e-Naw që është kryeqyteti i provincës raporton “BBC”. Tërmeti i parë ra pasdite dhe i dyti pasoi rreth dy orë më vonë. Ndikimi i tij u ndje më shumë në rrethet Kadis dhe Mugr.
“BBC Pashto” raportoi se shefi i qarkut të Kadis, Mohammad Saleh Purdil tha se tërmeti kishte shembur disa shtëpi dhe kishte vrarë gra dhe fëmijë. Ai dhe zyrtarë të tjerë kanë paralajmëruar se numri i të vdekurve mund të rritet pasi ekipet e shpëtimit analizojnë rrënojat në rajonin e largët. Rajoni i Badghis në veri-perëndim kufizohet me Turkmenistanin dhe konsiderohet si një nga rajonet më të pazhvilluara dhe më të varfra të Afganistanit.
Afganistani i varfër ende po lufton me një barrë të madhe borxhi dhe furnizime të pamjaftueshme, të përkeqësuara pas marrjes së pushtetit nga talebanët në gusht. / abcnews.al