Lleshaj, Ndrecaj e Veliu u distancuan nga afera e uniformave: Interesi i titullarëve ka qenë i vijueshëm

schedule20:52 - 15 Janar, 2022

schedule 20:52 - 15 Janar, 2022

Nga emisioni Vetting: 

Tenderi “Blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit” u zhvillua nga Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara si Autoritet Prokurues dhe Policia e Shtetit, si Institucion Kontraktues. Të dy këto struktura janë nën varësi të Ministrisë së Brendshme, ndaj ,ndërsa SPAK filloi të hetojë ngjarjen, diskutohej, nëse përveç punonjësve të ABP, në abuzimet e kryera kishin gisht apo dijeni, titullarët e lartë të Ministrisë së Brendshme. Ish-ministri Sandër Lleshaj si dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm Plarent Ndreca, u distancuan në atë kohë nga kjo aferë, duke pretenduar se nuk kanë pasur dijeni lidhur me abuzimet që po ndodhnin.

Po ashtu, të kontaktuar nga “Vetting” ata kanë zgjedhur që të mos flasin për çështjen në fjalë. Në këto rrethana, emisioni i shtron disa pyetje, Sekretares të Përgjithshme aktuale të MB, znj. Elena Pici, për të sqaruar, se cili është roli i Ministrisë së Brendshme në tenderat që kanë për Autoritet Prokurues, Agjencinë e Blerjeve të Përqëndruara dhe kur institucioni kontraktues, është nën varësinë e Ministrisë së Brendshme.

“Vetting” pyet më tej nëse titullarët e Ministrisë së Brendshme informohen lidhur me ecurinë e procedurave dhe ankesave që mund të ketë, veçanërisht nëse bëhet fjalë për vlera të konsiderueshme. Apo, nëse Drejtori i ABP-së raporton tek drejtoritë e Ministrisë, Sekretari i Përgjithshëm apo vetë titullari për procese tenderimi me vlera të konsiderueshme që përfshijnë Ministrinë. “Vetting” tentoi të mësojë nga Ministria e Brendshme nëse në rastin e tenderit “Blerje dhe shpërndarja e uniformave dhe këucëve të Policisë së Shtetit”, ish-drejtorja e ABP ka raportuar, ose në rast të kundërt, nëse ka pasur interes nga ana e Ministrisë së Brendshme për t’u njohur me ecurinë e tenderit, dhe mori përgjigjen si më poshtë, ku theksohet ndër të tjera se “interesi i titullarëve të Ministrisë së Brendshme si dhe i atyre të Policisë së Shtetit, për tenderin në fjalë ka qenë i vijueshëm”.

Përgjigjia e plotë e Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Brendshme, znj. Elena Pici:

“Kjo procedurë prokurimi është realizuar nga Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara, si organ qendror blerës, i ngarkuar me ligj. Në përfundim të procedurave, përfshirë dhe ankesat, është lidhur kontrata midis Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe konsorciumit ndërkombëtar të përbërë nga shoqëritë: YDS, Summer Conf S.r.l, Lovers S.r.l dhe D&E Shpk, me objekt “Blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit” .

Agjencia (ABP) ka të drejtë të monitorojë realizimin e kontratës, e cila është e shtrirë në një afat kohor 4-vjeçar (afatet e lëvrimit të mallrave, kryerjen e pagesave etj), ndërsa DPPSH është përgjegjëse për ndjekjen e zbatueshmërisë së saj.

Për detaje që lidhen me realizimin e kontratës, sa i përket aspekteve sasiore për vitin 2021, si dhe përmbushjen e kritereve për sasitë e furnizuara, mund të merrni informacion të detajua pranë DPPSH.

Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara, në zbatim të bazës ligjore në fuqi për funksionimin e saj, është përgjegjëse për hartimin e dokumenteve dhe specifikimeve teknike, për realizimin e procedurës prokuruese, shqyrtimin dhe vlerësimin e ankesave, për hartimin dhe lidhjen e kontratave, si dhe monitorimin për zbatimin e kontratës.

Sa më sipër, Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara raporton peridokisht, si çdo institucion tjetër varësie, tek titullari i Ministrisë së Brendshme.

Për procedurën në fjalë, interesi i titullarëve të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit ka qenë i vijueshëm, për vetë rëndësinë që ka procesi i pajisjes me uniformë të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Megjithatë, theksojmë se në aspektin procedural është ABP, që kryen procedurën si organ qëndror blerës dhe DPPSH që përcakton nevojat (sasitë) dhe specifikimet teknike për këto artikuj.
Auditimi i kësaj procedure është kryer gjatë vitit 2021 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, autoritet, i cili mund t’ju ofrojë informacion të detajuar rreth gjetjeve. Theksojmë se kjo procedurë është hetuar dhe është në process gjykimi, ndaj Ministria e Brendshme e ka të pamundur të përgjigjet për element të veçantë, pjesë të dosjes penale.

**Ky dokumentar është një produkt i @abcnews.al, zbatues të projekteve të financuara në kuadër të programit Investigative Network Albania (INA), një iniciativë e përbashkët e @QJournalism, @albanianmediainstitute dhe @Qendrafol.al, mbështetur nga @usembassytirana, e cila ka për qëllim rritjen e kapaciteteve të gazetarisë hulumtuese në nivel lokal dhe kombëtar. Për më shumë informacion mbi asistencën financiare në kuadër të kësaj iniciative vizitoni faqen www.ina.media