Vijojnë ujërat e trazuara në Partinë Demokratike, që prej disa muajsh nuk po gjen qetësi të brendshme. Disa ditë pas përplasjeve të dhunshme para selisë blu, Partia Demokratike e kryesuar nga Lulzim Basha ka marrë vendimin në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të bërë disa ndryshime të brendshme.
ABC mëson se kryetari Basha është shprehur në mbledhje në zbatim të vendimit të Kryesisë, ku është vendosur që organizatorët e protestës të mos mbajnë pozicione drejtuese në Grup Parlamentar, ka propozuar ndryshimet brenda partisë që më pas do i propozohen Grupit Parlamentar.
Përveç ndryshimeve të ardhur si pasojë e asaj që ndodhi më 8 janar, me vendim të Lulzim Bashës drejtimi i Grupit Parlamentar i ka kaluar Enkelejd Alibeaj, duke hequr kështu nga detyra Alfred Rushajn.
“Edhe pse z. Rushaj nuk është sot prezent në mbledhje për arsye shëndetësore, unë dua ta falenderoj atë për gjithë punën e jashtëzakonshme që ka bërë gjatë kësaj periudhe, dhe bashkërisht jemi duke punuar për një projekt të përbashkët politik për të ardhmen, që ndihmon dhe con përpara sfidat që ka PD” mësohet të jetë shprehur Basha në mbledhje.
Nga ana tjetër, Basha ka propozuar si Nënkryetar të Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, që gjithashtu ka kërkuar nga Këshilli Kombëtar që të votohet edhe si Nënkryetar i Partisë Demokratike.
“Një përfaqësues i denjë i demokratëve, botës akademike dhe komunitetit katolik. Jam i bindur se z. Gjekmarkaj është vlerë e shtuar në lidershipin e Partisë Demokratike.” Mësohet të ketë thënë Basha teksa ka propozuar emrin e Gjekmarkajt.
Ndryshimet e tjera që u propozuan kanë të bëjnë me drejtimin e komisioneve parlamentare dhe në Byronë e Kuvendit, si më poshtë:
Kryetar i Komisionit të Shëndetësisë: Grida Duma
Kryetar i Komisionit të Arsimit: Flutura Açka
Nënkryetar i Komisionit të Ligjeve:Dhurata Çupi
Sekretariati për Buxhetin: Xhelal Mziu (sekretar)
Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën: Bledion Nallbati (anëtar)
Sekretariati për Statusin e Deputetit: Dashnor Sula (sekretar)
Sekretariati për Kërkimin Parlamentar, Bibliotekën dhe Botimet: Lindita Metaliaj (anëtar)
Vijon…/abcnews.al/