Një grup eurodeputetësh i kanë dërguar një letër presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen ku kërkojnë që të hetohet roli i zyrtarit të BE-së Oliver Varhelyi për ndihmën ndaj liderit serb të Bosnje Hercegovinës, Milorad Dodik, i cili u shpall non grata nga SHBA,
Në letër, anëtarët e Parlamentit Europian shkruajnë se një dokument fakton se komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Varhelyi ka bashkëpunuar me Dodik për të shpërbërë Bosnjen dhe Hercegovinën.
“Përfaqësuesit e Komisionit nuk mund të qetësojnë lëvizjet separatiste në këtë mënyrë ose të veprojnë përtej mandatit të tyre në kundërshtim me politikën zyrtare të BE-së në lidhje me rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhej në letrën e eurodeputetëve.
“Nëse paanshmëria dhe neutraliteti i Komisionit vihet në pikëpyetje, ekuilibri i brishtë gjeopolitik kërcënohet menjëherë”.
Në tetor, Dodik, anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës bëri thirrje që Republika Srpska të tërhiqet nga institucionet kryesore shtetërore dhe të krijojë institucionet e saj parashtetërore, duke shkelur traktatin e paqes dhe kushtetutën.