Autobusi del nga rruga, viktima dhe të plagosur në Maqedoni

schedule19:49 - 13 Shkurt, 2019

schedule 19:49 - 13 Shkurt, 2019

13 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti rrugor të ndodhur në Maqedoni, ku një autobus humbi kontrollin dhe doli nga korsia e qarkullimit, në aksin Tetovë-Shkup.

 

Një aksident tragjik me 13 viktima ndodhi pasditen e së mërkurës në Maqedoni, në autostradën Tetovë-Shkup, pranë fshatit Llaskarcë. Një autobus me pasagjerë ka humbur kontrollin, ka dalë nga rruga dhe është përmbysur. Bilanci i viktimave u konfirmua nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në një konferencë për shtyp, ndërsa zëvendësministri i Brendshëm, Agim Nuhiu deklaroi se ekipet e policisë, shëndetit publik dhe zjarrfikësit koordinuan operacionet për t’u ardhur në ndihmë të mbijetuarve.

Nga goditja e fortë, rreth 40 persona të tjerë mbetën të plagosur dhe u dërguan nga ekipet e emergjencave në spitalet e Shkupit. Një  pjesë e mirë e tyre janë nga Gostivari. Lajmin e bëri të ditur kryetari i kësaj komune, i cili saktësoi se disa prej të lënduarve janë në gjendje kritike për jetën. Ndërkohë raportohet se mes pasagjerëve është edhe një grua shtatzënë, e cila ndodhet po ashtu në gjendje të rëndë në Qendrën e Urgjencës në Shkup. Për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit është hapur një hetim nga Prokuroria Themelore, e cila ka dërguar ekspertët e saj në vendin e ngjarjes. Burime nga ky institucion kanë deklaruar se prokurorët e çështjes do të urdhërojnë autopsinë e viktimave, si dhe analizat e gjakut të shoferit të autobusit./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!