Deputetja Ori Nebiaj ka ngulur këmbë që ish-kryeministri Sali Berisha dhe 8 anëtarët e tjerë të Komisionit të Rithemelimit që morën pjesë protestën e dhunshme të 8 janarit në selinë blu, të përjashtohen nga PD. Ndërsa ka rrëfyer ndjesitë që ka përjetuar kur ka parë çfarë ka ndodhur në selinë blu gjatë protestës, Nebiaj gjatë mbledhjes së kryesisë është shprehur se ka ardhur koha që PD të tregojë se di të marrë vendime të forta për të treguar se nuk është me 2 standarde.
“Ajo çfarë ndodhi më 8 Janar nuk ishte rastësore por e paralajmëruar çdo ditë nga gjuha e urrejtjes që përfundoi në atë skenar që zoti desh të mbyllej pa viktima! e faleminderit Zot që ashtu ndodhi. Si vajzë, si e re që e kam ndërtuar jetën time në këtë vend jam ndjerë e tmerruar nga gjithë ajo që ka ndodhur në oborrin dhe selinë e familjes tonë politike. Prandaj them me bindje se 8 Janari nuk duhet normalizuar, përkundrazi duhet të kemi një reagim dhe vendimmarrje konkrete.
Modeli i pandëshkueshmërisë është ajo për të cilën ne luftojmë çdo ditë ndaj kësaj qeverie dhe asaj çfarë ka prodhuar kasta politike në 30 vite ndaj edhe nuk mund ta anashkalojmë kur ndodh në PD dhe kundër PD! Nëse sot nuk tregojmë se kjo parti, edhe në këtë situatë të jashtëzakonshme nuk reagon dhe nuk merr vendime të forta për atë që ndodhi brenda shtëpisë tonë, atëherë nesër as unë e askush s’do kemi as moral e as fjalë për të garantuar shqiptarët se do i dalim zot atyre për sigurinë dhe ligjin e drejtë për familjet e tyre. S’mund të kemi vendimmarrje me dy standarde. Dhuna duhet dënuar, sipas ligjit. Çfarë vizioni do i tregojmë për të ardhmen nëse sot, në këtë situatë, nuk jemi modeli që nesër premton ti qeverisë?!”, tha Nebiaj.
Ajo ka konstatuar se në mbledhjen e mbrëmshme anëtarët e kryesisë ishin të sinqertë, ndërsa i ka kërkuar Bashës që ta bëjë partinë për të rinjtë.
“Nga kjo mbledhje e Kryesisë sot, përpara një vendimi të vështirë kam dy ndjesi që janë dhe konstatime. Së pari ndjej dhe dëgjoj se më në fund anëtarët e kryesisë u çliruan dhe ishin krejtësisht të sinqertë në arsyetimet e tyre e kur mendoj nevojën e kësaj kryesie për të folur pa doreza në mënyrë të sinqerte dhe të prerë, qoftë dhe për të shfryrë tensionin, kuptoj disi masën e mllefit apo nevojës që anëtarësia ka që ne t’i dëgjojmë e ata të shfryjnë e të flasin mbi gjithçka i ka mërzitur e dëshpëruar nga gjithë kjo situatë. Kryetar bëjeni këtë parti për të rinjtë dhe për ata mbi 600 mijë shqiptarë që na besuam në 25 prill!”. be.k/abcnews.al