Çështja “Dajti”, flasin ekspertët

schedule20:45 - 11 Shkurt, 2019

schedule 20:45 - 11 Shkurt, 2019

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda aplikoi mbi Dritan Datin gjykimin e shkurtuar duke i hequr 4 dënime të përjetshme dhe duke e dënuar me 25 vite. Që prej datës 8 Shkurt, kur u dha ky vendim ka pasur reagime të shumta. Për të diskutuar rreth kësaj çështje në emisionin “Byro Politike” nga Juli Xhokaxhi ishin të ftuar tre juristë Saimir Vishaj, Ferdinand Doja dhe Clirim Gjata.

Për Saimir Vishajn, Gjykata e Apelit nuk ka shkelur ligjin me këtë vendim. Madje sipas tij, ministrja e Drejtësisë në një deklaratë të bërë këtë të hënë është keqinformuar nga këshilltarët e saj.

Saimir Vishaj: Kjo çështje duhet ndarë në dy plane. Kemi planin e parë që janë vrarë 4 efektivë dhe planin e dytë veprimet e gjykatës. Mendoj që Gjykata e Apelit nuk ka shkelur ligjin. Unë e dëgjova ministren e Drejtësisë. Më vjen keq që është keqinformuar nga këshilltarët e saj. Në Gjykatën e Apelit kërkesa ishte bërë në shkallën e parë. Në rast se ky vendim brenda 45 ditësh do të rekursohet dhe vendimi është pro atëherë çfarë mund të themi? Për mua jemi në reformë në drejtësi tepër të brishtë ku gjyqtarët sot i kam parë të trembur. Kërkesa për gjykim të shkurtuar është bërë para 8-9 vitesh kur ka filluar procesi. Trupi gjykues ishte me 5 anëtarë çfarë tregon që vepronte me ligjin e vjetër.

Ndërkohë për sekretarin për çështjet ligjore në PD ky vendim ka prapavijë politkke dhe është e lidhur me mazhorancën.

Çlirim Gjata: Ky vendim ka prapavijë politike. Ky njeri është i lidhur me kryeministrin dhe mazhorancën, përmes kanalesh kriminale prandaj ka dalë ky vendim. Dalja sot e ministres janë lot krokodili, është hipokrizi politike. Ku do e çojë KLGJ? S’ka ligj për ta ndjekur disiplinarisht gjykatësin. Pra në fund të fundit këta gjyqtarë kanë qenë që detyruan politikën dhe ndërkombëtarët që të ndërmerrte reformën në drejtësi. Cilësia e reformës në drejtësi. E gjitha si u bë, po shkon në drejtim të kapjes nga ana e kryeministrit Rama. Rasti i atij që vrau gjyqtaren, as atij nuk ia dhanë gjykimin e shkurtuar. Backragundi është politik. Të tjerat janë lot krokodili.

Ndërkohë sipas juristit, Ferdinand Doja ne nuk i dimë provat që janë shfaqur në gjyq.

Ferdinand Doja: Kemi të bëjmë me gjykim të shkurtuar. Edhe i pandehuri heq dorë nga një sërë të drejtash. Edhe vetë gjyqësori ka atë privilegjin që kursen kohën, dëshmitarët. Gjykimi i shkurtuar jepet ose mohohet me një vendim të ndërmjetëm. Ne nuk i dimë arsyetimet që ka bërë Gjykata e Shkallës së Parë në mohimin e kësaj të drejte. Është e drejtë e të gjithëve që ta kërkojnë këtë. Nuk e dimë pse është mohuar në këtë moment gjykimi i shkurtuar. Ai gjyq ka zgjatur pafundësisht, por nuk dimë çfarë provash janë marrë në atë gjyq.

Dritan Dajti ishte dënuar nga Gjykata e Shkallë së Parë për Krime të Rënda me burgim të përjetshëm. Ai akuzohet për vrasjen e 4 efektivëve të policisë në Durrës më 2009, gjatë një operacioni për arrestimin e tij./abcnews.al