Rusia vë në provë BE-në, gazjellësi “Nord Stream 2”  kundërshtohet nga SHBA

schedule22:34 - 9 Shkurt, 2019

schedule 22:34 - 9 Shkurt, 2019

Shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Europian kanë rënë dakord për vijimin e projektit të gazjellësit Nord Strim 2, i cili kundërshtohet fort nga Shtetet e Bashkuara.

Pas shumë debatesh dhe presionit të Shteteve të Bashkuara për t’u tërhequr, ambasadorët e vendeve anëtarë të BE, miratuan vijimësinë e shtrirjes së gazsjellësit “Nord Strem 2”.

Projekti që do të furnizojë më shumë me gazin rus Europën, ngjalli kontradita edhe mes partnerëve të afërt, Gjermanisë dhe Francës. Parisi njoftoi fillimisht se nuk do ta jepte mbështetjen, por më pas pranoi kompromisin me Berlinin për dritën jeshile të projektit, duke ashpërsuar kushtet dhe kontrollet.

Më shumë se sa një debat teknik lidhur me energjinë, linja që do të furnizojë Europën me 55 miliardë metra kub gaz në vit, është kthyer tashmë në një betejë politike. Frika e kundërshtarëve të projektit është se kontinenti mund të kthehet në një skllav të Moskës. Aktualisht Europa mbulon me gazin rus rreth 40% të nevojave të saj.

Shtetet e Bashkuara, paralajmëruan se me “Nord Strem 2”, Rusia synon gjithashtu goditjen e ekonomisë së Ukrainës, e përjashtuar nga linja e re e kalimit të gazit.

Stafeta tashmë i kalon Parlamentit Europian, kur një numër i konsiderueshëm deputetësh janë shprehur kundër tij. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!