Edhe Roma arrin fitore në Serinë A

schedule14:59 - 9 Shkurt, 2019

schedule 14:59 - 9 Shkurt, 2019

Roma arriti një fitore të rëndësishme në Serinë A, dhe tregoi se do të luftojë deri në fund të sezonit për të arritur objektivat e rëndësishëm. Milani dhe Interi janë të paralajmëruar.

Kryeqyteti mund të mos e fitojë titullin, por nga Championsi nuk heq dorë. Pas suksesit të Lacios një ditë më parë ndaj Empolit, ja edhe triumfi i Romës në fushën e Kievos. Përballja e Serisë A pritej me shqetësim pasi romanët jo vetëm nuk kishin bindur së fundmi, por edhe ishin turpëruar 1-7 nga Fiorentina në Kupën e Italisë.

Sidoqoftë, në stadiumin e Veronës ishte mbrëmja e duhur për autokritikë, me lojë të shkëlqyer, dhe me rezultatin 3-0. Stefan El Sharaui, Edin Xheko dhe Aleksandar Kolarov ishin autorët e golave, me Romën që u ngjit në kuotën e 38 pikëve, po aq sa Lacio, në përpjekje për vendin e katërt, pra për zonën Champions.

“Il Corriere dello Sport” lavdëron verdhekuqtë me një lojë fjalësh, duke titulluar “Festivali i San Romës”, në një krahasim me Festivalin e San Remos të këtyre ditëve.

“Një paraqitje e bukur, – u shpreh i lehtësuar trajneri Di Françesko, – skuadra e luajti ndeshjen ashtu siç duhet, madje mund të kishte shënuar më shumë. Diçka shumë pozitive përpara Championsit”.

Di Françesko komentoi edhe përkuljen që bëri Kolarov përpara tifozëve të Romës, një veprim që krijoi sërish polemika. Futbollisti serb ishte kritikuar ashpër nga përkrahësit, ndërsa pas përkuljes pati nga ata që e vlerësuan, por edhe nga ata që e quajtën provokim.

“Veprimi i Kolarovit ishte një mënyrë për të kërkuar falje, – tha trajneri, – ai tregoi se është një profesionist dhe bëri gjënë e duhur. Mund t’u them se Kolarovi jep gjithnjë maksimumin për skuadrën”.

Pak ditë më parë, kapiteni Daniele De Rosi i doli publikisht në mbështetje shokut të skuadrës, duke shkruar në Instagram, “Vëllai im”, në gjuhën serbe. Duke u kthyer tek futbolli i luajtur, duhet thënë se dy skuadrat e kryeqytetit pritet të luftojnë deri në fund për zonën Champions. Lacio arriti një fitore shumë më të ngushtë, 1-0, por kjo mjaftoi që ekipi i portierit Strakosha të jetë në garë, dhe në rrezik nga konkurrenca romane është jo vetëm Milani, por edhe Interi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!