Njohës të sigurisë dhe analistë në Prishtinë thonë se situata e tensionuar në Ukrainë mund të nxisë probleme të sigurisë edhe në Ballkanin Perëndimor posaçërisht në veriun e Kosovës për shkak të ndikimit rus. Ata thonë se situata e sigurisë në rajon ka nxjerrë në pah pafuqinë e Bashkimit Evropian përballë sfidave në Ballkan dhe kjo ka rritur angazhimin amerikan në rajon.
Viti 2022 po e gjen Ballkanin Perëndimor në një gjendje të rënduar të sigurisë për shkak të kthimit të tensioneve përgjatë vitit 2021 në Bosnjë Hercegovinë, Kosovë dhe Mal të Zi.
Analistë në Prishtinë thonë se rajoni po përballet me situatë më të brishtë të sigurisë në 10 vjeçarin e fundit.
Analisti Agon Maliqi thotë se në këtë brishtësi po ndikojnë tensionet ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë në Ukrainë, ku sipas tij, përshkallëzimi i mëtejm i situatës nuk do të kalojë pa lënë shenja edhe në Ballkan.
Ai thotë se Kosova dhe NATO duhet të jenë më të vëmendshëm gjatë javëve dhe muajve në vijim./VOA