Linjë e re ujësjellësi në Tiranë

schedule13:17 - 8 Shkurt, 2019

schedule 13:17 - 8 Shkurt, 2019

Bashkia e Tiranës ka nisur punën për të ndërtuar një linjë të re për furnizmin me ujë të banorëve të kryeqytetit. Sipas kryetarit të bashkisë Erion Veliaj, investimi zgjidh problemin për rreth 13 mijë banorë në Njësinë Administrative 7.

Shumë shpejt rreth 13 mijë banorë përgjatë rruges “Babë Rexha” në Tiranë nuk do të kenë probleme për t’u furnizuar me ujë të pijshëm. Bashkia dhe ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve po zëvendësojnë me një linje të re investimin e kryer rreth 40 vite më parë.

“Kjo është një zonë në zhvillim, me pallate të reja, pallate të vjetra, shtëpi edhe më të vjetra, ndaj besoj që uji është një nga gjërat e para që njerëzit pyesin: “A ka ujë 24 orë? A ka shkollë, a ka kopshte, a ka çerdhe”. Kështu që, tani i përgjigjemi edhe një pyetjeje për urbanizimin e zonës”.

Njëkohësisht punime po kryhen dhe në Bovillë me qëllim dyfishimin e kapaciteteve të furnizimit me ujë të pijshëm të banorëve të Tiranës.

“Kemi hyrë në vitin 2019, që është viti i parë i planit tonë 5-vjeçar për Tiranën me ujë 24 orë. Në 2024 do të duhet të kemi ujë 24 orë dhe besoj që si vit i parë i planit që miratuam në këshill bashkiak, fillimin e kemi shumë të mbarë me Bovillën, me linjën e transmetimit që i jep ujë gjithë “Astirit” dhe zonës së Unazës së Re. Nëse e kapim këtë investim deri në fund të marsit, do të jetë një lajm shumë i mirë për banorët sepse do të thotë që do të jetë vera e parë pa probleme. Jam i bindur që do ia shohim hajrin të parët me banorët e kësaj njësie”.

Sipas kryetarit të bashkisë, Tirana renditet qyteti i parë sa i përket pagesës së faturave të ujit të pijshëm./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!