Debate në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për taksën ndaj Serbisë

schedule10:53 - 8 Shkurt, 2019

schedule 10:53 - 8 Shkurt, 2019

Dje në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kosova dhe Serbia përballen qëndrime të ashpra dhe krejt të kundërta lidhur me taksën e vendosur nga qeveria kosovare për mallrat serbe. SHBA, por edhe të gjithë anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit i kërkuan Kosovës heqjen e kësaj takse. Ata kërkuan që dy vendet të vazhdojnë negociatat për arritjen sa më parë të një marrëveshjeje.

Vendimi i qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës prej 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës në Nëntor të vitit të kaluar dominoi diskutimet në takimin e Këshillit të Sigurisë së OKB-së. Qëndrimi amerikan në OKB ishte i qartë dhe i prerë për heqjen e kësaj takse nga qeveria e Prishtinës. Përfaqësuesi amerikan, Jonathan Cohen, ka thënë Shtetet e Bashkuara besojnë që marrëveshja mes të Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet këtë vit. Megjithatë, ai tha se para se të ndodhë një gjë e tillë, autoritetet e Kosovës duhet të heqin taksën ndaj produkteve serbe.

Qëndrimi i Uashingtonit kundër taksës 100% u mbështet edhe nga Gjermania. Por përfaqësuesit e dy vendeve u shprehën të ndarë sa i takon rrugës së arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi. Ndërsa SHBA e lë të hapur mundësine e ndryshimit të kufijve, Berlini e ka kundërshtuar me forcë këtë opsion. Ambasadori i Gjermanisë në Këshillin e Sigurimit, tha se e vetmja rrugë për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian është njohja e Kosovës, ndërsa kritikoi fushatën e ministrit serb Daçiç për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, tha se vendimi për vendosje të taksës nga autoritetet e Kosovës është dënuar nga faktorët ndërkombëtarë, përfshirë aleatët e Prishtinës. Sipas tij, masa ndaj produkteve serbe, të cilën e ka quajtur drakonike, ka pasur për qëllim të vështirësojë jetën e komunitetit serb në Kosovë. Daçiç u shpreh se thirrjet për bashkim të Mitrovicës kanë për qëllim dëbimin e serbëve nga ky qytet. Ai  ka përmendur edhe fillimin e punës së Gjykatës Speciale për Krime të Luftës në Kosovë, duke thënë se Serbia pret që aktakuzat e para të bëhen publike shumë shpejt, për të gjykuar ato që ai i ka quajtur si “krime ndaj serbëve dhe personave tjerë që nuk kanë qenë shqiptarë”.

Por ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku tha se ky Këshill është kthyer në teatër nga Serbia dhe është bërë vend ku autoritetet serbe tregojnë përralla që nuk besojnë as ata vetë. Ajo theksoi se UNMIK-u nuk ka rol dhe as mandat për ta ushtruar në Kosovë, ndërsa i bëri thirrje Serbisë që të “çlirohet nga Kosova” dhe ta njohë realitetin.

Vendosjen e takses 100%,  Çitaku e quajti vendim jo të lehtë, por të detyruar, si përgjigje ndaj fushatës së ashpër të Serbisë kundër Kosovës. Sa i përket miratimit të ligjit për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, ambasadorja Çitaku e quajti vendimin ligjor dhe kushtetues, në mënyrë që të krijohen mekanizma të sigurisë dhe që Kosova të kontribuojë në organizata ndërkombëtare. Sipas saj, ky vendim ka treguar maturinë e Kosovës si shtet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!