Kreu demokrat ftoi banorët e njësive 7 dhe 10 në Tiranë, që t’i bashkohen protestës së 16 shkurtit. Gjatë takimeve, Basha prezantoi disa nga pikat e programit ekonomik duke premtuar lehtësira për bizneset.
Pas takimeve në rrethe, kryetari demokrat është ndalur pasditen e sotme në Tiranë, ku ka biseduar me banorët të njësisë 7 dhe 10. Basha akuzoi qeverinë për politikat ekonomike duke theksuar se po zhvaten bizneset. Gjatë takimeve Basha paraqiti disa nga pikat e programit që sipas tij, synojnë lehtësimin e barrës fiskale të subjekteve private.
“Jeni në një nga rrugët kryesor të Tiranës. Kur qaheni ju imagjinon se çfarë ndodh në vendet e tjera. Taksa do të bëhet 0.5 për qind e xhiros vjetore. E dyta, është ulja me 300 lek e çmimit të karburantit që vetëm për rrugë nuk shkon. Do të rivendosim fashën për shpenzimin e energjisë. Për biznesin riprodhues ulet me 30-40% të çmimin të energjisë, për biznesin e vogël 20% dhe për konsumatorët. Asnjë inspektor tatimor nuk do të këtë të drejtë të hyjë në dyqanin tënd”.
Basha ftoi banorët që t’i bashkohen protestës së 16 shkurtit.
“Të gjitha janë të mundura të realizohen, mjafton të bashkohemi të gjithë më 16 Shkurt”.
Më pas Partia Demokratike organizoi një protestë para bashkisë së Tiranës. Mbështetës të saj bllokuan për rreth 30 minuta rrugën duke hedhur parrulla kundër qeverisë. /abcnews.al