Ronela Hajati u zgjodh fituese e edicionit të 60-të të Festivalit të Këngës, e cila konkurronte me këngën “Sekret”. Çmimi i dytë shkoi për një nga pretendentët kryesorë, Alban Ramosaj me këngën “Theje”. Çmimi i tretë iu dha dy artistëve të rinj Eldis Arrnjeti dhe Rezarta Smaja.
E emocionuar, këngëtarja tha se këtë çmim ia dedikon të atit të ndjerë. “Ky është çmimi i parë që unë marr dhe do të jetë nga më të rëndësishmit. Kjo këngë i dedikohet vetëm babës tim dhe dua të falënderoj jurinë që më ka votuar. Falënderoj të gjithë miqtë e mi të ngushtë që më kanë suportuar.
Mamanë time që është në sallë. Mami ku je? Mami më në fund është e lumtur për mua. Ka shumë njerëz që nuk kanë besuar te unë, por shihemi në Torino” tha ajo. Ndërkohë, ajo ka reaguar sërish përmes një postimi në Instagram ku shprehet se premton që do të dhurojë në Torino një performancë që do të mbahet mend.
“Faleminderit të gjithë atyre që më kanë mbështetur gjithë këto vite! Ju dua me shpirt. Premtoj se do të bëj një rinovim, një video dhe një performancë për t’u mbajtur mend. Nuk kam fjalë…”, ka shkruar këngëtarja. /abcnews.al