Trajneri i kombëtares, Kristian Panuçi, është i shqetësuar për formën e sulmuesve, ndërsa afrojnë ndeshjet eleminatore të Europianit. Italiani ka udhëtuar duke takuar disa prej futbollistëve.
Shqetësimi është i madh se mund të përsëritet e njëjta situatë. Kombëtarja shqiptare i mbylli në mënyrë negative ndeshjet e Ligës së Kombeve, dhe trajneri Kristian Panuçi, po përpiqet që të mos jetë në po këtë gjendje kur të nisin eleminatoret e Europianit në Mars.
Italiani, gjatë gjithë Janarit, ka qenë në lëvizje nëpër Europë, duke takuar futbollistët për të mësuar gjendjen e tyre të vërtetë, dhe shqetësimi kryesor ka qenë për sulmuesit. Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit bëjnë me dijë se Panuçi ka takuar me radhë, Armando Sadikun, Sokol Cikalleshin dhe Odise Roshin, që kanë qenë të dëmtuar gjatë vjeshtës së kaluar.
Trajneri është takuar me Sadikun e rikthyer tek Lugano në Zvicër, pas dëmtimit që pati në Spanjë tek Levante. Sulmuesi 27-vjeçar duket i riaftësuar, ndonëse ende jo në formë të plotë. Gazeta “Blick” ka ende dyshime për të.
“Sa e ka kaluar me të vërtetë Sadiku dëmtimin e rëndë në gju, që pësoi në Spanjë”, bën pyetjen ajo, ndërsa thekson se lojtari mungoi për 5 muaj.
Sulmuesi shqiptar thotë se shpreson të nisë të aktivizohet për disa minuta në ndeshjet e kampionatit. Trajneri ka takuar Cikalleshin në Turqi, pas ndryshimit të skuadrës.Ai është përpjekur të kuptojë sesa shanse ka sulmuesi për të pasur minutazh, në mënyrë që të jetë gati për kombëtaren. Panuçi ka udhëtuar gjithashtu për të biseduar me Odise Roshin, që gjithashtu është në fazë rikuperimi me skuadrën Ahmat Grozni të Premier Ligës së Rusisë.
Një tjetër preokupim për teknikun kuqezi ishte ai lidhur me Amir Abrashin. Mesfushori ka qenë plotësisht i pafat këto kohë, pasi është dëmtuar tri herë. Tashmë, ai është plotësisht i gatshëm për të luajtur, dhe ka qenë pjesë e 18-es së Frajburgut në Gjermani, por ende nuk është aktivizuar.
E gjithë kjo situatë është shqetësuese për Panuçin, që e ka theksuar disa herë se nëse nuk do të ketë lojtarët në dispozicion apo në formën e duhur, do ta ketë të vështirë të marrë rezultate në eleminatoret e Europianit, ku kombëtarja ndeshet me Francën, Islandën, Turqinë, Moldavinë dhe Andorrën, me ndeshjet që nisin në 22 Mars me ndeshjen ndaj Turqisë./abcnews.al