Mbi 500 familje në Laç, do të futen në shtëpitë e reja të rindërtuara për banorët e prekur nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit të vitit 2019. I pranishëm në ceremoninë e dhurimit të banesave ishte kryeministri Edi Rama, i cili gjatë fjalës së tij tha se qytetarët tashmë kanë shtëpi më të forta dhe më të bukura se para se t’u shembeshin.
“Në pjesën dërrmuese janë financim i qeverisë shqiptare. Shumica janë financim i qeverisë shqiptare, por në këtë rast është financim i qeverisë turke. I atij mikut tim që kur disave kur u del në Facebook, bëjnë lloj-lloj komentesh të padenja. Ai u gjen si të ishte lindur, rritur dhe të kishte njerëzit e tij këtu. Duke vënë në dispozicion forcën e miqësisë dhe solidaritetit. Kjo nuk është çështje lekësh është çështje zemre. Në momentin kur u sfiduam nga një forcë e natyrës duhet të masnim karakterin tonë dhe duhet ti tregonim vetes që ne nuk mposhtemi. Do dalim nga kjo sfidë më të fortë, domethënë që çdo familje që u prek sot ta ketë shtëpinë shumë më të mirë se ajo që humbi. Mu në prag të vitit të ri familjet që kanë 2 vjet që presin por të cilat nuk kanë pritur në rrugë, asnjë nga ju s’ka pritur në rrugë e çadra sepse kemi dhënë bonusin e qirasë që të jeni në një shtëpi edhe pse jo e juaja. Sot do shini se jeni më të fortë keni një pronë tuajën shumë të fortë se ajo që kishit. Sot kjo pronë vlen shumë më tepër se ajo që humbët”, tha Rama.
Në fjalën e kryeministrit nuk kanë munguar batutat dhe “thumbat” për PD, duke thënë se qeveria ofron banesa, ndërsa PD, vetëm brava, duke kujtuar këtu krisjen e brendshme të asaj partie. Me ironi Rama tha se ato “me 2 gishtat lartë” vetëm mund të ndërrojë ngjyrën e bravës, por shtëpinë s’ua marrin dot qytetarëve.
“Shtëpia është e juaja përveç sigurisë që duhet të garantoni për bravën, maksimumi që mund t’ju bëjnë ata që ngrenë 2 gishtat lart, është t’ju ndryshojnë ngjyrën e bravës, por askush s’ua merr dot shtëpinë, është e juaja mund të bëni ç’të doni. Kur u bënë zgjedhjet filluat të mendonit se tani që s’na dhatë votat kushedi, mend për herë tjetër, se për mua nuk ndryshon gjë… Edhe për të më sharë, do hyni në shtëpi de do thoni këtë shtëpinë na e bëri por është burrë i poshtër shumë”, tha Rama. be.k/abcnews.al