Moska ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se kanë qenë të parat, që kanë shkelur traktatin e vitit 1987 për armët bërthamore. Në këto kushte, Kremlini ka nisur punën për një sistem të ri raketash me fuqi atomike, që do të mund të lëshohen nga baza tokësore, deri më sot të ndaluara nga pakti i Luftës së Ftohtë.
Rusia ka deklaruar të martën se ka në plan të ndërtojë një sistem të ri raketash, pak ditë pasi ajo dhe Shtetet e Bashkuara pezulluan pjesëmarrjen në traktatin për kontrollin e armëve bërthamore. Traktati në fjalë, i nënshkruar në vitin 1987 për t’i dhënë fund krizës së armatimeve mes Amerikës dhe Bashkimit Sovietik, u ndalonte të dyja palëve përdorimin e raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi.
Pas akuzave të vazhdueshme në adresë të Moskës se kishte shkelur akordin e nënshkruar nga presidentët Regan dhe Gorbaçev, presidenti Donald Trump njoftoi javën e kaluar tërheqjen, një lëvizje kjo që pak orë më vonë u kopjua edhe nga Kremlini. Të martën, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu deklaroi se synimi i forcave të armatosura është krijimi i një sistemi raketash me bazë tokësore në dy vitet e ardhshme.
Raketat bërthamore të qëlluara nga terreni ndaloheshin në bazë të traktatit, por jo ato të qëlluara nga ajri ose deti, të cilat Rusia i zotëron dhe do t’i përdorë për të ndërtuar sistemin e ri. Ministri Shoigu nënvizoi se janë Shtetet e Bashkuara ato që e kanë shkelur të parat akordin.
“Ata po punojnë për krijimin e raketave me bazë tokësore me një rreze prej 500 kilometrash, një kapacitet që ndalohet nga traktati i nënshkruar. Në këto kushte, presidenti Putin ka urdhëruar Ministrinë e Mbrojtjes që të përgatitet për masa reciproke”, ka deklaruar Shoigu. Lëvizjet e fundit të Uashingtonit dhe Moskës kanë ngritur shqetësime për nisjen e një gare të re armatimesh./abcnews.al