Presidenti i Polonisë tha sot se do t’i verë veton një projekt-ligji për shtypin, që do të kishte detyruar kompaninë amerikane “Discovery” të hiqte dorë nga zotërimi i paketës kontrolluese të aksioneve të rrjetit televiziv polak TVN.
Presidenti Andrzej Duda theksoi se projekt-ligji nuk mbështetet nga shumica e polakëve dhe do t’i jepte një goditje imazhit të Polonisë si një vend i mirë për biznes.
Projekt-ligji, i miratuar së fundmi nga dhoma e ulët e parlamentit, ndalonte komnpanitë jo-evropiane nga zotërimi i më shumë se 49% të aksioneve të stacioneve radio-televizive në Poloni.
Ndikimi i tij në praktikë do të kishte ndikuar gjithsesi vetëm tek një kompani, ajo amerikane “Discovery”, dhe do të kishte detyruar pronarin amerikan të televizionit më të madh privat polak, TVN, të shiste paketën kontrolluese, ose edhe të gjitha aksionet.
Shumë polakë e shohin projekt-ligjin, të kërkuar nga Partia për Drejtësi dhe Ligj, me të cilën presidenti Duda është i lidhur, si një përpjekje për t’i mbyllur gojën një stacioni privat që transmeton lajme të pavarura, shpesh kritike ndaj autoriteteve.
Në mbarë vendin u organizuan protesta kohët e fundit në mbështetje të stacionit televiziv dhe shprehjes së lirë.
Firma “Discovery” kishte kërcënuar ta padiste Poloninë në gjykatat ndërkombëtare.
Presidenti Duda tha se ai ishte dakord në parim, për të kufizuar pronësinë e huaj të mediave, duke theksuar se shumë demokraci të tjera kanë ligje të ngjashme, si Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Gjermania.
Por ai shtoi se një ligj i tillë do të ishte dëmtuar një biznes që tashmë vepronte në vendin e tij.
Ai vuri në dukje se miratimi i ligjit do t’i kishte kushtuar Polonisë miliarda dollarë dhe shtoi se ai ndante pikëpamjen e shumë polakëve të tjerë se projekt-ligji nuk ishte i nevojshëm në këtë moment./VOA