Në Superligë kanë nisur aleancat dhe kjo mund të ndikojë për keq deri në fund të sezonit. Ish-ylli i Vllaznisë, Edi Martini, pati shumë kritika, ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Pressing” në ABC News.
Nuk ngurroi të kujtonte atë që ndodhi një vit më parë. Kamza fitoi në fushën e Partizanit dhe Vllaznia, rrjedhimisht, ra nga Superliga edhe pse Skënderbeu e toleroi në Korçë dhe kjo ndikoi në përballjen e kësaj jave, Kamza-Partizani. Është i bindur se ka ndodhur kështu, Edi Martini, ish-ylli i Vllaznisë, sot trajner futbolli, i ftuar në emisionin “Pressing” në ABC News.
“Kamza kishte dhe probleme me lojtarët. Kjo ishte një film i bukur. Garantoj që deri ditën e mërkurë do jenë të gjithë lojtarët në formacion, kjo ishte një pjesë e nderit që Vllaznia doli vjet nga kategoria sikur jetojmë në hënë dhe nuk e dimë çfarë bëhet në Shqipëri”, tha Martini.
Martini vazhdoi me analizën se çfarë ndodh jashtë fushe në kampionat, duke sulmuar më shumë ekipet e kryeqytetit.
“Presidenti i Kukësit është shumë më afër ekipit që Kukësi e ka avantazh. E njeh shumë mirë gjendjen e kampionatit. Aleta ka pasur gjithmonë kryeqyteti, historikisht. Unë them që ai që do arrij ta luajë më mirë lojën edhe jashtë fushave të lojës do jetë edhe më i privilegjuari”, u shpreh ish-futbollisti.
Pak ditë pasi Skënderbeu akuzoi për dhunë në Fushë Krujë, Martini e pati kritikën për Policinë e Shtetit.
“Unë s’mbaj mend kohë që na janë turr tifozë me na godit dhe me na sha. Për fatin tonë ka qenë policia”, tha Martini.
Si një shkodran, Martini nuk mund të mos fliste për Vllazninë.
“Ku fut hundët dhe politika merr fund gjithçka. Them politika sepse Shkodrën, Vllazninë e drejton Bashkia. Fukarallëku që zotëron në Shkodër, zymtësia, njerëzit vetëm ditë të shtune i shihja t’u qesh duke qesh për futbollin. Tashmë stadiumi është bërë sikur me qen në varreza”, tha Martini./abcnews.al